Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se përgjegjësia për krijimin e institucioneve bie mbi partinë fituese të zgjedhjeve, duke theksuar se Albin Kurti dhe partia e tij duhet të ndërtojnë marrëveshje politike jo vetëm për zgjedhjen e Presidentit, por edhe për vetë qeverisjen.

Në një intervistë për VOX , Limaj tha se partia që ka fituar zgjedhjet ka të drejtën, por edhe obligimin për ta zbatuar vullnetin e qytetarëve përmes ndërtimit të partneriteteve politike.

“Partia që e ka fitu shumicën e votave e ka obligim me u ulë dhe me ndërtu marrëveshje politike me grupet e tjera politike për ta çuar deri në fund vullnetin e qytetarëve. Nëse partisë në pushtet i mungon gatishmëria për marrëveshje politike, atëherë përgjegjësinë për gjithçka që ndodh në Kosovë e ka ajo”, tha Limaj.

Ai shtoi se prej kohësh ka paralajmëruar se Kosova nuk mund të qeveriset pa marrëveshje politike.

“Kam thënë edhe para 15-16 muajve, Kosova nuk qeveriset pa marrëveshje politike”, deklaroi ai.

Duke folur për debatet rreth zgjedhjes së Presidentit, Limaj kritikoi idenë që posti i kreut të shtetit t’i besohet një figure jopartiake ose jashtë politikës aktive.

Sipas tij, Kosovës i duhet një president me peshë politike, që i njeh proceset dhe sfidat e vendit.

“Presidenti duhet të jetë figurë e fuqishme politike. Nuk duhet me ba Kosova këtë gabim. As opozita, as partia në pushtet. Kosovës i duhet një personalitet politik që i njeh rrjedhat politike, betejat politike dhe nevojat e qytetarëve”, u shpreh ai.

Limaj tha se nuk e sheh si zgjidhje sjelljen e një figure që nuk ka kaluar nëpër procese politike dhe nuk ka kredibilitet të ndërtuar në jetën publike.

“Po e marrim njëfarë personaliteti që s’ia prish askujt. Çka është kjo? Presidenti i vendit duhet të jetë figurë e fuqishme politike. Ne duam një president që ka kaluar nëpër beteja politike dhe është i gatshëm të marrë përgjegjësi”, tha ai.

I pyetur nëse ka emra konkretë në mendje, Limaj u përgjigj se të gjitha partitë politike kanë figura që mund ta ushtrojnë këtë detyrë.

“Ka. Të gjitha partitë politike kanë figura të tilla që mund të jenë presidentë politikë. Pse mos me qenë presidenti politik?”, deklaroi ai.

Kreu i Nismës la të kuptohet se një marrëveshje që kërkohet vetëm për zgjedhjen e Presidentit, ndërsa jo edhe për formimin e Qeverisë, nuk përbën partneritet të mirëfilltë politik.

“Nëse dikush thotë për Qeverinë i kam numrat, por për President më duheni ju, atëherë çfarë marrëveshje politike është ajo? Edhe opozita mund të thotë të njëjtën gjë: nëse jemi të panevojshëm për Qeverinë, atëherë nuk ju duhemi as për Presidentin”, theksoi Limaj.