Çështja e anëtarësimit të Kosovës në aleancën më të fuqishme ushtarake në botë, NATO, aktualisht nuk është në agjendën e shteteve anëtare.
Kështu ka thënë Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, në një seancë dëgjimore në Kongresin Amerikan.
Këto komente, Rubio i bëri pasi që kongresisti Keith Self, i cili së fundmi vizitoi Kosovën, kërkoi nga ai që ta mbështesë Kosovën për t’u anëtarësuar në NATO.
“Ajo që kam vënë re është se tani për tani, në përgjithësi, NATO është aq e përqendruar në disa çështje të tjera që janë ngritur këtu sot, saqë zgjerimi, veçanërisht në rastin e Kosovës, nuk është në plan të parë të agjendës së disa prej këtyre shteteve”, deklaroi Rubio.
Por, Rubio theksoi se “kjo nuk do të thotë se nuk do të ndodhë kurrë”. “Thjesht do të thotë se nuk është prioritet duke pasur parasysh këto pika të tjera të tensionit. Kjo çështje nuk ka qenë e theksuar në bisedat e fundit me aleatët tanë të NATO-s”, shtoi ai.
Duke folur për vizitën e tij në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë, Serbi dhe takimet që zhvilloi në këto vende, Self e përshkroi rajonin si “jashtëzakonisht të brishtë”, derisa përmendi bllokadën e disa vendeve për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
“Ne kemi katër aleatë të NATO-s që po ashtu po e bllokojnë anëtarësimin e Kosovës në NATO”, tha Self.
Në këtë drejtim, ai i kërkoi Rubio-s që “ta mbështesni anëtarësimin e Kosovës në NATO përmes angazhimit me ato katër vende në takimin në Turqi që sapo e përmendët”.









