Familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit kanë thënë se presin të takohen me Ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, pas vendimit të Kuvendit. Ata theksojnë se po veprojnë në këtë formë për të shmangur çdo keqkuptim lidhur me ndikimin dhe ndërhyrjet familjare në vendimmarrjen e institucioneve të Kosovës.
“E vlerësojmë ftesën e Albulena Haxhiut, por, për t’iu shmangur çdo keqkuptimi të mundshëm lidhur me ndikimin dhe ndërhyrjet familjare në vendimmarrjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, presim që të takohemi pas vendimit të Kuvendit”, shkroi në Facebook Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit.
Këto familje kanë bërë thirrje për përgjegjësi institucionale dhe unitet qytetar në këto momente.
“Presim sjellje të përgjegjshme shtetërore nga të zgjedhurit e popullit, në mbrojtje të Kushtetutës dhe ligjit, në raport me Dhomat e Specializuara”.
Ata kanë shprehur mirënjohjen e tyre të thellë për popullin e Kosovës për mbështetjen, solidaritetin dhe qëndrimin e tij të vazhdueshëm ndaj procesit gjyqësor në Hagë.
Ftesa e Haxhiut për familjet e ish-krerëve të UÇK-së erdhi pasi që ata u dënuan nga Gjykata Speciale me 82 vjet burgim gjithsej.









