Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka hedhur poshtë ankesat e dy kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe kërkesat e tyre për rinumërim të votave për kandidatët e partisë së tyre.

Bekim Haxhiu, deputeti i shumë legjislaturave në Kuvendin e Kosovës, kishte dërguar ankesë në PZAP nëpërmjet të cilës ka ngritur dyshime se numërimi i parë e ka dëmtuar elektoralisht, duke thënë se vetëm 102 vota më shumë të kandidatit më lartë se ai mund ta bëjnë rinumërimin vendimtar.

PZAP i ka hedhur poshtë pretendimet e Haxhiut dhe kandidatit tjetër të PDK-së, Qëndrim Kryeziu, duke argumentuar se gjatë rinumërimit “një numër kandidatësh minimalisht kanë fituar vota ndërsa kandidatë të tjerë po ashtu ne mënyrë minimale kanë humbur disa vota”.

Nëse kandidatët nuk ankohen në Gjykatën Supreme brenda 48 orësh, KQZ mund të procedojë me shpalljen e rezultatit përfundimtar të 7 qershorit.

Zgjedhjet e parakohshme kuvendare të 7 qershorit nxorën fituese Lëvizjen Vetëvendosje, e cila u pasua nga Partia Demokratike e më pas Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë.