Ismail Tasholli nga platforma “Liria ka emër” ka dhënë detaje shtesë lidhur me marshin në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, i cili do të mbahet sot në Prishtinë, me fillim nga ora 14:00.
Sipas tij, organizimi i këtij marshimi ka qenë i gjerë dhe ka hasur në mobilizim të madh qytetar.
“Organizimi ka qenë shumë i madh dhe përgjigjja qytetare po ashtu ka qenë shumë e madhe. Gatishmëria e qytetarëve për të marrë pjesë është e jashtëzakonshme”, deklaroi Tasholli.
Ai theksoi se marshimi do të jetë qytetar dhe jo politik, duke bërë të ditur se nuk do të ketë fjalime të politikanëve.
“Fjalime të politikanëve nuk do të ketë. Do të ketë disa shenja rikujtese për rrugën tonë drejt lirisë. Do të ketë 2-3 paraqitje të artistëve, por fokusi do të jetë tek mesazhi qytetar dhe tek solidariteti me çlirimtarët”, u shpreh ai.
Marshi organizohet nën moton “Liria ka emër” dhe “Drejtësi, jo politikë”, ndërsa pritet të nisë nga qendra e Prishtinës. Organizatorët kanë bërë të ditur se tubimi synon të shprehë mbështetje për ish-krerët e UÇK-së që po përballen me proces gjyqësor në Hagë, duke theksuar se kërkesa e vetme është drejtësi dhe trajtim i paanshëm.
Ndërkohë, qytetarë nga komuna të ndryshme të vendit pritet t’i bashkohen marshimit, me flamuj kombëtarë dhe simbole të UÇK-së, në një tubim që, sipas organizatorëve, do të jetë paqësor dhe dinjitoz.









