Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se çështja e Ligjit për Gjykatën Speciale dhe Presidentit janë gjëra të ndara. Ai ka theksuar se PDK nuk e lejon që kjo çështje të trajtohet në nivele të pazareve politike.

“Duhet me i nda këto dy gjëra. Çështja e ligjit dhe çështja e presidentit janë gjëra të ndara. Ligji është nevojë. Ligji e adreson një çështje që i kalon përmasat e një subjektit politik, e një mandatit të një qeverie. Çështjet e individëve, qytetarëve, është një ligj që kërkon drejtësi edhe me u vërtetu ajo çka është pastërtia e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Hamza në një konferencë për media pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të PDK-së.

“Ka qenë një luftë e imponuar, populli i Kosovës është organizuar për mbrojtjen e të drejtave të veta, për liri, për pavarësi, për shtet dhe ligji nuk ka të bëjë me një parti politike, nuk ka të bëjë me individë, ka të bëjë me mbrojtjen e të vërtetës historike”.

Prandaj, këtu po flasim për mbrojtjen e të vërtetës historike. E pastaj, normalisht që pasi që veç afatet kushtetuese po afrohen për presidentin, gjithmonë partitë politike janë për me bisedu edhe për çështjen qysh me i dhënë vendit institucione”.

Por, nuk është që, theksoi ai, “Partia Demokratike e trajton edhe e konsideron edhe e lejon që kjo çështje të trajtohet në nivel të pazareve politike. Është çështje tjetër puna e ligjit dhe është çështje tjetër puna e presidentit”, shtoi ai.

Kuvendi i Kosovës do të mbajë të hënën seancë plenare, duke filluar nga ora 9:00. Pikë e rendit të ditës është edhe shqyrtimi në lexim të parë i Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Paraprakisht, Ligji për Specialen do të diskutohet në Komisionin për Legjislacion, i cili do të mblidhet nga ora 8:00.