Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji Drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, Gëzim Berishës, i dyshuar për dhunë në familje.
Siç raporton Betimi për Drejtësi, Gjykata ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e paraburgimit ndaj Berishës.
“Gjykata ka obliguar Stacionin Policor në Vushtrri që ta zbatojë masën e arrestit shtëpiak për të pandehurin G.B., si dhe është obliguar Stacioni Policor në Vushtrri, të verifikojë zbatimin e kësaj mase dhe në rast të moszbatimit të saj nga i pandehuri, menjëherë të njoftojë gjyqtaren e procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftim.
Gjykata vlerësoi se kjo masë është e mjaftueshme për të parandaluar rrezikun e përsëritjes së veprës penale dhe se “këtë vlerësim gjykata e mbështet edhe në faktin se i pandehuri dhe e dëmtuara nuk jetojnë më në bashkësi familjare”.
“Gjykata erdhi në përfundim se janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit G.B., pasi kjo masë është e mjaftueshme për të parandaluar rrezikun e përsëritjes së veprës penale, për të mbrojtur të dëmtuarën dhe për të siguruar zhvillimin e rregullt të procedurës penale, këtë vlerësim gjykata e mbështet edhe në faktin se i pandehuri dhe e dëmtuara nuk jetojnë më në bashkësi familjare dhe masa e arrestit shtëpiak është caktuar në pronën ku e dëmtuara nuk banon, rrjedhimisht duke shmangur kontaktin e drejtpërdrejtë ndërmjet tyre”.
Berisha dyshohet se e kërcënoi bashkëshorten dhe i ka thënë se do t’i ndodhë e njëjta sikurse Arlinda Zekajt, e cila u vra nga kunati i saj me sëpatë.
Pasi që Berisha u arrestua, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK), njoftoi se do të procedojë me suspendimin e tij.









