Platforma “Liria ka Emër” ka thirrur marsh masiv në Prishtinë, në sheshin “Skenderbeu” për të enjten e 1 tetorit. Protesta do të mbahet në përkrahje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në kundërshtim të verdiktit të Gjykatës Speciale e cila dënoi me 81 vjet Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.

“Më 1 tetor do të organziojmë marshin e madh, “jo në emrin tim”. Data nuk është zgjedhur rastësisht. E kujtojmë të gjithë 1 tetorin e vitit 1997 kur studentët dolën në rrugë në një protestë paqësore që mbeti si një nga momentet më historike dhe simbolike. Atëherë kërkuam liri, tash kërkojmë liri për çlirimtarët tanë. Do të dalim paqësisht me thirrjen “jo në emrin tim”, tha Eliza Hoxha nga kjo platformë.

Liria ka Emër ka ftuar gjithashtu thirrjen e një mbledhjeje të përbashkët mes Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës në bashkërendim të veprimeve për mbrojtjen institucionale të katërshes udhëheqëse të UÇK-së.

Gjithashtu, Hoxha bëri me dije se do të dërgohen peticione me nënshkrime edhe në shtetet e BE-së për mërgatën me një mesazh “jo në emrin tim”.