Kryetari i Organizatës së Veteranëve të dalur nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, (OVL-UÇK), Hysni Gucati, ka thënë se ata do ta mbështesin protestën në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, që do të mbahet më 12 shtator, por ka theksuar se nuk duan që aty të jetë pjesëmarrës Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ne do ta mbështesim protestën, por nuk mund të jemi aty ku ata i bëjnë thirrje Vetëvendosjes ku ne e dimë se lideri i tyre në Parlamentin e Kosovës e quan kriminel Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe të tjerët… Dhe nuk mund të jemi aty me deputetët e tij, të cilët i hoqën nga paga minimale veteranët e UÇK-së së bashku me Listën Serbe”, ka thënë Gucati në një konferencë për media.

Të premten, platforma Liria ka Emër njoftoi se do të organizojnë “Marshin e Lirisë” më 12 shtator, katër ditë para shpalljes së vendimit për krerët e UÇK-së.

Ata njoftuan se që nga e shtuna e 22 gushtit e deri më 16 shtator do të organizojnë çdo ditë aktivitete në mbështetje të katërshes së UÇK-së, derisa ftuan të gjithë krerët e partive politike, përfshirë Albin Kurtin, që të marrin pjesë.

Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga 5 nëntori i 2020-së, të akuzuar nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte. Trupi Gjykues në Speciale, më 16 shtator do të shpallë aktgjykimin ndaj tyre.