Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se e ka refuzuar një ftesë të Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të biseduar në lidhje me zgjedhjen e Nenad Rashiçit nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit jo shumicë serb.
“Unë kam refuzuar sot që ta takojë Kurtin përkundër kërkesës së tij që me u taku me diskutu për zgjedhjen e Nenad Rashiçit”, tha Krasniqi para fillimit të seancës konstituive.
Ai theksoi se nuk mund të bëhen “pjesë e lojërave politike”, pavarësisht se Rashiç në një rrethanë tjetër, në vlerësimin e tij, “do të ishte një nënkryetar shumë i mirë”.
“Kurti këtë entuziazëm për me zgjedh Rashiçin, se ka pas as për me zgjedh Albulena Haxhiun e aq më pak për Dimal Bashën. Edhe ai e di që një gjë e tillë s’është në pajtim”, shtoi ai, derisa bëri me dije se as në seancën e sotme nuk do ta votojnë Rashiçin për nënkryetar.