Edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka refuzuar ftesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për takim lidhur me krijimin e institucioneve të reja.

Në letrën drejtuar Kurtit, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e falënderon për ftesën, por rikujton se qëndrimi i partisë mbetet i pandryshuar.

“Duke iu referuar takimit tonë të datës 10 korrik 2026 dhe qëndrimit publik të PDK-së, ju rikonfirmoj se, në rrethanat aktuale, qëndrimi ynë është që të vazhdojmë të qëndrojmë në opozitë”, thuhet në letrën e Hamzës.

Ai thekson se pret që Kurti, në përputhje me përgjegjësitë që i kanë dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit 2026, së bashku me partitë e tjera parlamentare, të arrijë marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja të Kosovës.

“Presim që ju, në përputhje me përgjegjësitë që ju burojnë nga zgjedhjet e 7 qershorit 2026, së bashku me partitë e tjera të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, të arrini marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja të vendit”, shkruan Hamza.

Me këtë përgjigje, PDK i bashkohet AAK-së, e cila po ashtu refuzoi ftesën e Kurtit, duke bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga kryeministri në detyrë.