Gazmend Bytyçi, veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili u rrah brutalisht nga Policia e Kosovës në protestën e së hënës, ka paraqitur në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), rastin e dhunës së policisë ndaj tij dhe protestuesve të tjerë.
“Askush mbi shtetin! Sapo paraqita rastin në Inspektoratin Policor për ata policë që ushtruan dhunë mbi mua dhe mbi protestuesit e tjerë”, shkroi Bytyçi në Facebook.
Ai tha se beson në shtetin e Kosovës dhe policinë e saj, po theksoi se “nuk toleroj huliganë në uniformën e Policisë”.
“Këtë shtet e kemi krijuar me gjak, nëse është e nevojshme, do ta mbrojmë me gjak. Rroftë Republika e Kosovës!”, potencoi Bytyçi.
Në protestën e së hënës, ku kërkohej votimi i ligjit për Dhomat e Specializuara, dhjetëra qytetarë mbetën të lënduar nga dhuna policore.









