Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se “pjesa dërrmuese” e anëtarëve të Kryesisë së partisë së tij, kanë qenë “pro bashkëpunimit në të ardhmen me Fatmir Limajn”, mirëpo jo në zgjedhjet e 7 qershorit. Sipas Hamzës, Limaj dhe kandidatë nga Nisma, fillimisht duhet t’i japin përkrahje partisë së tij në këto zgjedhje, për të parë më pas mundësinë e bashkëpunimit në zgjedhjet tjera.
“Është qëndrim i përgjithshëm që fillimisht duhet të ndodhë një përkrahje për PDK-në, një vullnet i mirë nga ana e Nismës dhe pastaj në zgjedhjet e ardhshme do t’i trajtojmë në mënyrën më të duhur. Por kësaj radhe, zoti Limaj nuk do të jetë pjesë e listës së PDK-së”, tha Hamza
”…pjesa dërrmuese e anëtarëve të Kryesisë së PDK-së që e mirëpresim kontributin e zotit Limajt të Nismës Socialdemokrate që në këto zgjedhje do t’ia jap Partisë Demokratike të Kosovës. Dhe jam i bindur që kjo përkrahje do të reflektojë në rritjen e votës për PDK-në edhe si rezultat i këtij angazhimi”, shton.
Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës, në mbledhjen që u mbajt këtë të hënë (11 maj) vendosi kundër ribashkimit me Fatmir Limajn, dikur figurë eminente e kësaj partie. Refuzimi i PDK-së vjen pas një letre të hapur të Limajt drejtuar PDK-së, përmes së cilës i bënte thirrje për bashkëpunim.









