Studentët shqiptarë në Maqedoni të Veriut do të protestojnë këtë të hënë, ku do të kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe. Ata kanë thënë se kjo është e drejtë e tyre që garantohet me Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.
Protesta është thirrur nga studentët e të triave universiteteve shqiptare në Maqedoni të Veriut: Universiteti i Tetovës, Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Evropës Juglindore.
Protesta do të fillojë në ora 12:30. Protestuesit do të nisen nga Ura e Gurit në Shkup dhe do të vazhdojnë për tek Ministria e Drejtësisë.
Besar Sejdiu, Kryetar i Parlamentit Studentor të Universitetit “Nënë Tereza”, ka bërë thirrje për mbështetje të gjerë qytetare ndaj kësaj proteste.
Organizatorët kanë thënë se protesta është e studentëve dhe nuk është e asnjë partie politike.
Ndonëse studentët shqiptarë po protestojnë për shkak të moszbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhës për dhënien e provimit të jurisprudencës, Kryeministri maqedonas, Hristjan Mickoski, ka tentuar që ta politizojë protestën, duke thënë se e njëjta po mbështetet nga një parti, duke iu referuar Bashkimit Demokratik për Integrim, e cila, sipas tij, nuk e ka zgjidhur këtë problem për më shumë se dy dekada.
Përkundër se fillimisht tentoi që ta politizojë, Mickoski edhe tha se Qeveria që ai drejton po punon për një zgjidhje në përputhje me standardet ndërkombëtare.
“E dini se për atë ligj kemi një mendim negativ nga Komisioni i Venecias, i cili thotë se duhet të hiqet dorë nga dygjuhësia në gjyqësor, sepse ka sfida që më së shpeshti lidhen me sundimin e së drejtës. Duke i pasur parasysh të gjitha këto, ne si qeveri kemi formuar një grup ekspertësh kushtetues që po punojnë për një zgjidhje që do të jetë edhe kushtetuese, por edhe në përputhje me standardet ndërkombëtare”, tha Mickoski, transmetojnë mediat maqedonase.
“Kështu që unë i siguroj studentët se ashtu siç janë gjetur zgjidhje për shumë sfida dhe për shumë lëshime nga e kaluara, ashtu edhe për këtë do të gjendet një zgjidhje e përshtatshme. Unë mendoj se ata tashmë e dinë këtë dhe apeli im është të mos lejojnë të jenë mjet në duart e një partie politike që ende jeton në kujtimet, përkatësisht në kohën e shekullit të kaluar”, shtoi ai.
Në lidhje me protestën ka reaguar edhe Kryetari i Çairit, Izet Mexhiti, i cili është njëri nga liderët e koalicionit VLEN – përfaqësuesit e shqiptarëve në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.
Mexhiti theksoi se protesta “është thirrje për vetëdijesim për të gjithë aktorët politikë e shoqërorë të cilët duhet të kontribuojnë për zgjidhje më të mira ligjore dhe politika afatgjate institucionale në vend”.
“Në vend të politizimit, bëj thirrje për ndërgjegjësim, sepse protestat studentore gjithmonë janë alarm për dukuritë shoqërore të cilat strukturat politike kanë për obligim t’ i trajtojnë në tërësi”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, partitë politike opozitare shqiptare në Maqedoni të Veriut, si Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët, i kanë dhënë mbështetje protestës.









