Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën (9 shtator) do t’i dërgojë komentet e saj në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me çështjen e konstituimit të Kuvendit, pasi që Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme deri më 30 shtator, pas ankesës së Listës Serbe.

Këtë, për VOX Kosova, e ka konfirmuar Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes. Ai nuk ka dhënë detaje se cilat do të jenë komentet e Osmanit, mirëpo ka thënë se askush nuk ka të drejtë t’i bllokojë institucionet.

“Qëndrimi i Presidentes gjithnjë ka qenë se askush nuk duhet ta ketë të drejtën t’i bllokojë institucionet, e rrjedhimisht shtetin. Ashtu siç parashihet në 57 (4) të Kushtetutës, realizimi i të drejtave të komuniteteve është i pandashëm nga detyrimi për t’i respektuar ligjet e Republikës së Kosovës dhe për të mos i cenuar të drejtat e të tjerëve”, tha Kupina.