Janë zbardhur të tjera detaje nga dosja ndaj tashmë ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shqipërisë, Vlora Hyseni. E shkarkuar dje nga Kryeministri Edi Rama.

Komunikimet e fundit të bëra publike në mediat shqiptare, tregojnë për një lidhje personale dhe të vazhdueshme mes Hysenit dhe Ergys Agasit, e cila, sipas dosjes, ka vijuar edhe gjatë kohës kur Agasi ishte në kërkim nga drejtësia.

Në disa prej bisedave, Hyseni shfaqet e identifikuar me situatën dhe interesat e Agasit përballë organeve të drejtësisë, duke përdorur shprehje si: “Krejt këta njerëz që na kanë bërë çka na kanë bërë dua që të paguajnë”, “Zemër, thjesht duhet të koncentrohemi te halli jot”, ndërsa në një tjetër komunikim shkruhet: “Do përfundojmë keq, shpirt”.

Sipas dosjes, këto komunikime, të marra në tërësi dhe në kronologjinë e tyre, janë vlerësuar si tregues jo vetëm të një lidhjeje personale, por edhe të gatishmërisë së Hysenit për ta ndihmuar Agasin gjatë kohës që ai ishte në kërkim.

Në komunikimet e zbardhura, Hyseni i jepte Agasit edhe informacione për axhendën e saj zyrtare dhe takimet me zyrtarë të lartë, përfshirë Kryeministrin e vendit.

“Po më presin me shku te KM… Jo mo zemër, unë një orë nuk rri më shumë me atë”, shkruante ajo.

Ndërsa më 24 gusht 2026, Hyseni i dërgonte mesazhin: “Nesër duhet ta takoj KM në 8:30”.

Në vijim, sipas dosjes, ajo i jepte informacione edhe për itinerarin, natyrën e takimeve dhe partnerët ndërkombëtarë me të cilët do të takohej: “Më doli një takim urgent… Me sauditet… Kthehem nesër në KS prapë”.

Po ashtu, në një komunikim të 19 gushtit, Hyseni e informonte Agasin për një takim me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita.

“Skënderi më thirri me u taku të hënën… Të shpresoj që ka porosit KM…”, shkruante ajo.

Komunikimet janë zbuluar nga pajisjet e sekuestruara në kuadër të hetimit ndaj Ergys Agasit. Sipas SPAK-ut, Vlora Hyseni dyshohet për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror.

Ajo është vendosur në arrest shtëpie dhe është shkarkuar nga funksioni si drejtoreshë e SHISH-it.