Albulena Haxhiu nuk do të jetë kandidate për Presidente të Kosovës.

Kështu ka konfirmuar vetë Ushtruesja e Detyrës së Presidentes të enjten.

“Jo nuk do të jem kandidate për Presidente”, tha Haxhiu shkurt për gazetarë.

Kosova mbajti zgjedhje të jashtëzakonshme më 7 qershor pikërisht për shkak se deputetët nuk arritën që ta zgjedhin Presidentin e ri në afatet kushtetuese, pasi që Vjosa Osmanit i skadoi mandati i saj 5 vjeçar.

Vetëvendosja, si fituese e zgjedhjeve, ka thënë se pas certifikimit të rezultateve do të fillojnë komunikimet me partitë për krijimin e institucioneve.

Për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë duhen së paku 61 vota, pra shumicë e thjeshtë.

Për çështjen e Presidentit duhet që në sallë të qëndrojnë dhe të marrin pjesë në votim 80 deputetë. Zhvillohen tre raunde. Në të parin dhe të dytin për t’u zgjedhur dikush President duhet t’i ketë 80 vota për, ndërsa në të tretin 61.

Vetëvendosja mund ta formojë Qeverinë vetëm me pakicat jo serbe, pasi që vetë ka 53 deputetë, por për zgjedhjen e Presidentit duhen edhe votat e partive tjera opozitare.

Kosova është me Ushtrues detyre të Presidentit që nga prilli, pasi që i mbaroi mandati Osmanit. Në këtë pozitë, ashtu siç e parasheh Kushtetuta, është Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.