Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se do t’u japë udhëzim agjencive amerikane, përfshirë Departamentit të Mbrojtjes, të “fillojnë procesin e identifikimit dhe publikimit” të dosjeve qeveritare mbi alienët dhe jetën jashtëtokësore.
Trump e bëri deklaratën në një postim në Truth Social, pasi më herët gjatë ditës akuzoi ish-presidentin Barack Obama për zbulim të informacionit të klasifikuar, kur ish-presidenti tha javën e kaluar në një podcast se “alienët janë të vërtetë”.
“Ai nuk duhet ta bënte këtë”, u tha Trump gazetarëve në bordin e Air Force One, duke shtuar: “Bëri një gabim të madh.”
I pyetur nëse edhe ai mendon se alienët janë realë, Trump u përgjigj: “Epo, nuk e di nëse janë realë apo jo”.
Ish-presidenti amerikan Obama i tha drejtuesit të podcastit, Brian Tyler Cohen, në një intervistë të publikuar të shtunën e kaluar, se mendon se alienët janë realë.
“Ata janë realë, por unë nuk i kam parë dhe nuk mbahen në Area 51”, tha Obama.
“Nuk ka ndonjë objekt nëntokësor, përveç nëse ekziston një komplot i madh dhe kjo gjë i është fshehur presidentit të Shteteve të Bashkuara”.
Pasi komenti bëri bujë në media, Obama sqaroi se mendon se është statistikisht e mundshme që jeta të ekzistojë përtej Tokës, duke pasur parasysh përmasat e mëdha të universit.
Në një postim pasues në Instagram, Obama, i cili shërbeu si president i SHBA-së nga viti 2009 deri më 2017, theksoi: “Nuk pashë asnjë provë gjatë presidencës sime se jashtëtokësorët kanë kontaktuar me ne”.
Komentet fillestare të Obamës u bënë gjatë një serie pyetjesh të shpejta në podcast.
Nuk kishte asnjë tregues se Obama ishte mbështetur në informacion të klasifikuar kur dha intervistën. BBC ka kontaktuar Obamën për koment. Demokrati Obama dhe Trump, republikan, janë kundërshtarë politikë prej kohësh.
Nga ana e tij, Trump tha të enjten në Air Force One se megjithëse shumë njerëz besojnë në ekzistencën e alienëve, ai vetë nuk flet për këtë çështje dhe “nuk ka ndonjë mendim për të”.
Por disa orë më vonë, ai postoi në Truth Social se “bazuar në interesin e jashtëzakonshëm të shfaqur”, do të kërkojë publikimin e dosjeve “që lidhen me jetën aliene dhe jashtëtokësore, fenomenet ajrore të paidentifikuara (UAP) dhe objektet fluturuese të paidentifikuara (UFO), si dhe çdo informacion tjetër të lidhur me këto çështje shumë komplekse, por jashtëzakonisht interesante dhe të rëndësishme”.
SHBA ka parë një rritje të interesit publik për UFO-t dhe jetën jashtëtokësore vitet e fundit, e nxitur në vitin 2017 nga raportimet për një program sekret të Pentagonit që hetonte dëshmitë e pilotëve dhe anëtarëve të tjerë të ushtrisë amerikane, të cilët kishin raportuar se kishin parë objekte të çuditshme në qiell.
Në vitin 2022, Kongresi mbajti dëgjimet e para për UFO-t pas 50 vitesh dhe Pentagoni premtoi më shumë transparencë për këtë çështje, duke krijuar një zyrë të posaçme për të mbledhur raportet për të gjitha rastet e takimeve ushtarake me UFO.
Një vit më pas, një panel i Dhomës së Përfaqësuesve për këtë temë nuk prodhoi zbulime të mëdha apo konfirmim të jetës aliene. Në një raport të vitit 2024, Pentagoni tha se nuk kishte “asnjë provë” që qeveria amerikane të ketë hasur në jetë aliene dhe se shumica e vëzhgimeve të UFO-ve ishin thjesht objekte të zakonshme.









