Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nga Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është informuar për situatën aktuale në subjektin e tij, gjatë takimit që kanë realizuar të mërkurën, pasi që gjashtë deputetë të LDK-së treguan se nuk do ta përkrahin Bekim Sejdiun si kandidat për President.

Edhe Kurti tha se e njoftoi atë për diskutimet që kanë pasur brenda Vetëvendosjes.

“Nga Kryetari Abdixhiku jam informuar për situatën aktuale që është në subjektin e tij. Gjithashtu e njoftova edhe unë për diskutimet që kam pasur me grupin parlamentar të VV-së. Tash na duhet një mbledhje e re e kryesisë për të parë se cilat janë mundësitë që të ecim përpara”, tha Kurti për gazetarë pas takimit që pati me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë.

Kurti potencoi se ata vazhdojnë “të jemi optimistë ndonëse situata është më e vështirë se përpara”.

“Do të vazhdojmë të ecim tutje bashkë, duke u përpjekur që t’i evitojmë zgjedhjet e reja”.

“Tash që kemi marrëveshje. Dje pasdite ta keni parasysh që ndodhi një zhvillim negativ, por kemi pasur progres. Por, në këtë legjislaturë jemi më mirë se sa në të kaluarën sa i përket numrit të votave për President”.