Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla që garon edhe si deputet për Vetëvendosjen ka thyer rregullin gjerman për mbajtjen e tubimeve elektorale në këtë shtet. Ai dje (10 dhjetor, 2025) së bashku me kolegët e partisë, Adnan Rrustemi dhe Luan Aliu kanë mbajtur një manifestim elektoral me diasporën në qytetin Püttlingen të Gjermanisë. Dhe kjo, në ditën që Ambasada e Gjermanisë në Kosovë rikujtoi rregullin se këto organizime nuk lejohen “nga zyrtarët e huaj në periudhën më pak se tre muaj para zgjedhjeve”.
“Meqenëse kemi një diasporë të madhe kosovare në Gjermani, duam t’u rikujtojmë të gjithë kandidatëve se, si rregull, ngjarjet e fushatës zgjedhore nga zyrtarë të huaj në Gjermani nuk lejohen në periudhën më pak se 3 muaj para zgjedhjeve. Faleminderit për mirëkuptimin”, ishte paralajmërimi i rikujtuar nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë.

Në të njëjtën ditë, faqja e Vetëvendosjes – Qendra në Gjermani, publikoi fotografitë nga tubimi që u mbajt në Puttlingen.
“Nga vizita në Püttlingen e kandidatëve për deputet të Lëvizjes: Xhelal Sveçla, Adnan Rrustemi dhe Luan Aliu”, thuhet në përshkrimin e VV-së për këtë aktivitet, duke konfirmuar se tubimi kishte për qëllim fushatën për zgjedhjet e 28 dhjetorit.










