“Numri i vetëm që ka rëndësi është numri i Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka thënë ish-Kryeministri i Kosovës nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti.
Këto komente, Hoti i bëri përmes një postimi në Facebook, pasi që mediumi “Nacionale”, raportoi se ai është lënë jashtë 10-shës në listën e kandidatëve për deputetë të LDK-së për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.
Hoti, njëri nga deputetët më aktiv opozitarë, as nuk e ka konfirmuar as pohuar, por ka thënë se numri i vetëm që ka rëndësi është ai i LDK-së dhe se “numrat e tjerë i përcaktojnë qytetarët”.
Nacionale raportoi se në bazë të burimeve të tyre brenda LDK—së, Hoti do të ketë numrin 11, ndërsa ish-deputetja Hykmete Bajrami 12-shin.
Partitë politike që janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit, duhet që ta dorëzojnë listën e kandidatëve për deputetë këtë të martë deri në ora 24:00. Deri më tani, asnjë parti nuk e ka publikuar listën e plotë.
LDK në këto zgjedhje do të garojë së bashku me Vjosa Osmanin. Madje, ish-Presidentja do t’i prijë listës së partisë më të vjetër në vend.
Me numër dy do të jetë Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili është kandidat për Kryeministër.









