“Ata janë plotësisht të pafajshëm”.
Kështu ka thënë Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, në emisionin “Opinion”, kur është pyetur për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët janë duke u gjykuar për krime lufte në Hagë.
“Unë jam një njeri që i respektoj plotësisht ligjet ndërkombëtare dhe ligjet e vendit. Por gjer sot, në këtë proces që e kam ndjekur, nuk kam gjetur një dëshmi të vetme që të faktojë krimet e tyre. Nëse akuzohen për linjë komandimi, ata ishin aleatë të NATO-s”, tha Berisha.
Më 17 tetor, me një pjesëmarrje masive nga të gjitha trojet shqiptare, nën tingujt e këngëve patriotike, me flamuj kombëtarë e të UÇK-së, me thirrjet “drejtësi për çlirimtarët” dhe pa asnjë incident, është protestuar kundër Gjykatës Speciale në Tiranë, në sheshin “Skënderbej”.
Në protestë morën pjesë personalitete të rëndësishme publike nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, Mali i Zi e diaspora. Ndër ta, Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ish-Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Ndërsa të shtunën e 13 dhjetorit, protesta e radhës kundër Speciales do të mbahet në Shkup të Maqedonisë së Veriut.
Protesta në Shkup është e pesta me radhë që po organizohet nga OVL-UÇK, pas atyre që u mbajtën në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe Strasburg, ku dhjetëra mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet protestuan kundër Speciales.
Që nga 5 nëntori i vitit 2020, në qendrën e paraburgimit në Hagë ndodhen katër ish-krerë të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të akuzuar nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.









