Ndërmarrja publike që detyroi qytetarët të paguanin nga 20 euro për të parë ndeshjet e Botërorit, Telekomi i Kosovës nga 1 korriku ka vendosur t’i rrisë pagat për punëtorët e vet – me një vendim të Bordit i cili çuditërisht s’u bë publik askund.
Natyrisht, këtu përfiton më së shumti Kryeshefja Ekzekutive, Burbuqe Hana.
Një militante e kamotshme e Vetëvendosjes që dilte në protesta me këtë parti, e të cilën kryetari i saj, Albin Kurti s’hezitoi ta përmendte as në fushatën e fundit zgjedhore.
“E meqenëse po e përmendi Telekomin edhe njëherë, për juve që nuk e dini, edhe aty e kena Kryeshefe gjakovaren, Burbuqe Hana. Se kudo që ka një sukses, ka, matematikisht, një ose ma shumë gjakovarë në udhëheqje”, thoshte Albin Kurti
Burbuqe Hanës, prej 1 korrikut i është rritur rroga për 598 euro bruto. Siç ia konfirmoi VOX Kosovës vetë Telekomi, nga 1 mijë e 995 euro, iu bë 2 mijë e 593.
Rritje pati edhe për pozitat tjera. Nga 30 për qind iu rritën pagat, gradave nga 13 deri 18, deri te kryeshefja.
E gradave më të ulëta, iu rrit për nga 11 e 20 për qind. Rrjedhimisht, një punëtor me gradë 1, që e kishte pagën bruto 467 euro, nga 1 korriku do ta ketë 519. Pra rritje, rreth 52 euro për punëtorët, e dhjetëfish më shumë për Kryeshefen.
Telekomi, VOX Kosovës i tha se rrogat janë rritur duke marrë parasysh zbritjen që ishte bërë në maj të 2020-ës, inflacionin, e ofrimin e pagave të konkurrueshme.
Por veç shiheni marrëzinë e këtij institucioni. Shihni se çka bëjnë militantët e pushtetit kur u kërkohet llogari për menaxhimin e parasë publike.
Kur VOX Kosova u dërgoi pyetje për pagat, zyrtari i Financave aty, një i katapultuar nga partia në pozitë, Feim Kelmendi – pa ia pasur haberin se komunikimi është zyrtar dhe se ai përfaqëson institucionin, na kërkoi t’ia dërgojmë pagat e gazetarëve.
Kelmendi është një person që thënë së buti ka probleme të theksuara të cilat janë shfaqur publikisht jo rrallë.
Ai, kur e kapin të tijat, shanë edhe me nënë kritikët e pushtetit.
Po kjo është fotografia e një institucioni publik ose thënë më ndryshe një pushteti, ku qytetarit i kërkohet të paguajë më shumë, që drejtuesit të shpërblehen më fort.








