Kryeprokurori i ri i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka ftuar në takim Kolegjiumin e Prokurorëve të vendit për t’ua paraqitur prioritetet e tij në Sistemin Prokurorial.
Ai, në njoftimin publik, ka paraqitur tetë prioritete, duke përfshirë:
- Zhvillimin e hetimeve financiare krahas hetimit dhe ndjekjes penale në rastet e korrupsionit të profilit të lartë, krimit të organizuar, shpëlarjes së parave dhe krimeve të tjera të rënda;
- Sigurinë e qytetarëve, luftimin e armëmbajtjes pa leje dhe luftimin e narkotikëve;
- Mbrojtjen e pronës së qytetarëve;
- Sigurinë ekonomike dhe juridike të qytetarëve dhe të subjekteve që ushtrojnë veprimtari ekonomike;
- Trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe mbrojtjen e viktimave;
- Mbrojtjen e integritetit të hetimeve dhe të dhënave personale;
- Ndjekjen penale dhe një politikë më rigoroze ndëshkimore ndaj personave përgjegjës që rrezikojnë sigurinë në trafikun publik, si dhe krijimin e një mekanizmi të ri mbikëqyrës në kuadër të ZKPSH-së, në funksion të ngritjes së cilësisë së punës brenda institucionit të Prokurorit të Shtetit, përkatësisht mbikëqyrjes së cilësisë së aktakuzave të kthyera nga gjykata, aktgjykimeve liruese, dështimeve procedurale, vërejtjeve të gjykatave dhe praktikës gjyqësore, në respektim të plotë të pavarësisë institucionale të Prokurorit të Shtetit;
- Krijimin e një mekanizmi të brendshëm institucional në kuadër të ZKPSH-së për mbrojtjen e prokurorëve në rastet kur ata atakohen padrejtësisht gjatë ushtrimit të funksionit dhe detyrave të tyre zyrtare, si dhe forcimin e komunikimit të brendshëm institucional dhe respektimin e vijës hierarkike.
Por, ajo që u vërejt në këtë takim ishte mungesa e Blerim Isufajt, Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, i cili që nga fillimi e kishte kundërshtuar procedurën e zgjedhjes së Zejnulla Gashit si Kryeprokuror i Shtetit, me arsyetimin se procedura ishte nisur para se të përfundonte procesi në të cilin Isufaj ishte propozuar për Kryeprokuror të Shtetit.
Tashmë, këtë rast është duke e shqyrtuar Gjykata Kushtetuese.
VOX Kosova ka kuptuar se Kryeprokurori i Speciales është në pushim vjetor dhe në atë takim ka dërguar zëvëndësin e tij.









