John Duncan, ish-këshilltar i Komandantit të NATO-s, Wesley Clark, ka thënë se mezi pret që Prokuroria e Gjykatës Speciale ta shpjegojë pretendimin e saj se ai dhe dëshmitarët e tjerë ndërkombëtarë në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë kishin informacione të kufizuara për situatën në Kosovë gjatë luftës.

Këto komente, Duncan, i cili dëshmoi në Hagë në shtator të vitit të kaluar, i ka bërë përmes një postimi në llogarinë e tij në platformën X, pasi që këtë javë u paraqitën fjalët përfundimtare në Hagë – të cilat do të vazhdojnë edhe javën tjetër.

“Një javë tejet domethënëse në Dhomat e Specializuara. Pres me padurim që ta dëgjoj Prokurorinë teksa shpjegon se si përmbledhja ime shumë e detajuar, të cilën e përmenda disa herë në dëshminë time, përfaqëson ‘njohuri të pakta për… realitetin në terren’”, shkroi Duncan.

Kryeprokurorja e Prokurorisë së Gjykatës Speciale, Kimerly West, gjatë fjalës përfundimtare të organit të akuzës, më 9 shkurt u përpoq që t’i nënvlerësojë dëshmitë e dëshmitarëve ndërkombëtarë, si atë të ish-Komandantit të NATO-s, Wesley Clark, ish-ndihmëssekretarit amerikan të shtetit, James Rubin, e të tjerëve, duke thënë se “nuk kishin informacione”.

“Gjykata dëgjoi gjithashtu dëshmi të drejtpërdrejta nga shtatë dëshmitarë të mbrojtjes, të gjithë ndërkombëtarë. Secili prej tyre ishte i përfshirë në përpjekje diskrete për të sjellë paqe dhe administrim në Kosovë, dhe për këto përpjekje duhet të vlerësohen. Por nëse përfshirja e tyre në këtë çështje dhe vëzhgimet e tyre të kufizuara kanë vlerë për qëllimet e kësaj gjykate, kjo është një çështje krejt tjetër”, tha West.

“Në pjesën më të madhe, këta shtatë dëshmitarë ndërkombëtarë u hodhën në një situatë me shumë pak njohuri paraprake për aktorët e përfshirë; nuk e flisnin gjuhën; ndërvepruan ballë për ballë me aktorët kryesorë vetëm disa herë; pothuajse kurrë nuk panë rregulla, rregullore, urdhra apo komunikata të UÇK-së; dhe nuk ishin të njohur me strukturën e UÇK-së. Për kontekstin e detyrave të tyre shumë specifike, kjo shtresë e pakët informacioni mund të ketë qenë e mjaftueshme, por është tejet e pamjaftueshme për gjetjen e saktë të fakteve nga kjo gjykatë”, shtoi ndër të tjera ajo.

Më larg se West shkoi Prokurori Matt Halling. Më 10 shkurt, ai pretendoi se Clark, Rubin e dëshmitarët e tjerë ndërkombëtarë, ishin mashtruar nga Hashim Thaçi, ish-drejtor i Drejtorisë Politike të UÇK-së.

Madje, Halling vuri në dyshim edhe motivet e tyre për intervenim në Kosovë.

“Ajo që James Rubin, Wesley Clark, dhe disa nga ndërkombëtarët e tjerë nuk e kuptojnë është se gatishmëria e Thaçit për të mbuluar atë që po ndodhte ndikoi në aftësinë e tyre për ta kuptuar realisht se si funksiononte UÇK-ja”, tha Prokurori Matt Halling.

Prokurori Halling pretendoi se Rubin dhe Clark “në veçanti u treguan se nuk kishin asnjë interes për ta kuptuar vërtet këtë”.

“Duke besuar se puna e tyre ishte në anën e duhur të historisë pa u ballafaquar me atë që ky trup gjykues tani është i thirrur të vendosë. Përfundimet e tyre gjithashtu nuk ishin të përafruara me standardin juridik ndërkombëtar të kontrollit efektiv”, theksoi ai ndër të tjera.