“Në vitin 1990, nën represion, shqiptarët rrezikonin veten për ta krijuar një rend kushtetues. Në vitin 2026, në shtetin e lirë të Kosovës, Albin Kurtit vazhdimisht shkel kushtetutën dhe me plotë vetëdije i shtyn kufijtë e rendit kushtetues!”, kështu ka thënë Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në 36 vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut, të cilën e konsideroi si një prej akteve më të guximshme të historisë politike.
Përmes një postimi në Facebook, Rama nderoi gratë dhe burrat e guximshëm të 7 shtatorit 1990, të cilët theksoi se i dhanë Kosovës Kushtetutën e saj.
“Në kohën kur Kosovës ju morr autonomia, kur institucionet pushtoheshin e shqiptarët po përjashtoheshin prej jetës publike, kishte nga ata që e kuptonin një të vërtetë të madhe: liria duhej jo vetëm me u kërku, por edhe me u ndërtu juridikisht e institucionalisht”, tha ai.
Ajo gjeneratë, pohoi Rama, e dinte se Kushtetuta është kufiri i pushtetit. “Është mbrojtja e qytetarit. Është marrëveshja se askush, nuk është mbi shtetin”.
“E pikërisht këtu qëndron ironia e dhimbshme e këtij 7 Shtatori”, potencon Rama, derisa përmend shkeljet e vazhdueshme kushtetuese të Qeverisë së drejtuar nga Kurti.
Shteti, thotë ai, u ndërtua me sakrificë. “Kushtetuta u shkrua me guxim dhe asnjë pushtet nuk ka të drejtë me i përdhosë!”.
“Lavdi vizionit, guximit dhe përgjegjësisë shtetërore të atyre që më 7 shtator 1990 i dhanë Kosovës Kushtetutën e Kaçanikut”.









