Një adresim i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që mban datën 21 qershor 2023, devalvon krejtësisht rrëfimin anti-Lista Serbe të tij, qeverisë e partisë së tij.
Asokohe, tashmë kryeministri në detyrë tregonte se nuk kishte lënë gjë pa bërë që të sigurohej pjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave veriore në vitin 2022.
Kurti, veç tjerash, pohonte se garantimi për pjesëmarrje të Listës Serbe në zgjedhje ka qenë edhe një nga arsyet se pse ai ka pranuar Aneksin e Ohrit për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit të 27 shkurtit 2022.
“Bashkësia ndërkombëtare na premtoi se nëse ne pranojmë Aneksin e Ohrit, ata do të sigurojnë pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje. Më 17 mars të këtij viti e kemi zgjatur edhe për pesë ditë afatin e regjistrimit të partive. E gjithë kjo për asgjë”, kishte thënë Kurti.
Në këtë video, Kurti thoshte po ashtu se vendimi për shtyrjen e zgjedhjeve për katër muaj ishte me shpresën që Lista Serbe do të merrte pjesë, duke ngritur dyshime edhe se ky vendim i presidentes Vjosa Osmani mund të ketë qenë i ndikuar nga ai.
“Më 10 dhjetor të vitit të kaluar, ne e shtymë ditën e zgjedhjeve për katër muaj, duke shpresuar se Lista Serbe do të merr pjesë”, thoshte Kurti në gjuhën serbe.
Kurti e pranonte se do të kishte qenë i gatshëm që politikanët e kësaj liste t’i pranonte si udhëheqës lokalë, përkundër se e dinte që individë nga ta, si Jabllanoviçi për shembull, kishin thënë gjithfarë gjërash për Kosovën.
“Përfaqësuesit e Listës Serbe, sikur edhe Jabllanoviçi, kanë thënë gjithfarë gjërash për Kosovën dhe për mua, por unë kam mbetur i gatshëm t’i pranoj si kryetarë të ardhshëm komunash”, potenconte Kurti.
Ky video-adresim i Kurtit është i kundërt me pozicionin e Vetëvendosjes për kundërshtimin e certifikimit të Listës Serbe që u shpërfaq në zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit dhe ato lokale të 12 tetorit, me Sami Kurteshin dhe Alban Krasniqin, që si përfaqësues të VV-së në KQZ kundërshtonin certifikimin e këtij subjekti politik për pjesëmarrje në zgjedhje.









