Izraeli dhe Amerika kanë eliminuar mbi 40 figura elitare të ushtrisë, shkencës dhe politikës iraniane që nga fillimi i luftës së tyre kundër sistemit teokratik të Iranit, që ka udhëhequr shtetin pers qysh nga shkurti i 1979-së.
Ali Khamenei, Lideri Suprem i Iranit që nga viti 1989, u vra në shtëpinë e tij në ditën e parë të luftës, më 28 shkurt 2026, pra pas 36 vitesh sundim.
Krahu i tij i djathtë, Ali Shamkhani, Sekretar i Forcave të Këshillit të Sigurisë së Iranit, është viktimë tjetër e sulmeve izraelito-amerikane. Fillimisht u besua se ai u vra në luftën 12-ditore të qershorit të vitit të kaluar, por i njëjti u eliminua përfundimisht vetëm në operacionet e fundit.
Veç këtyre dyve, i vrarë ka mbetur edhe Mohammad Pakpour, Komandant i Trupave të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, krahut ndoshta më të fuqishëm të sigurisë në Iran.
Në listën e të eliminuarve është edhe Aziz Nasirzadeh, Ministër i Mbrojtjes së Iranit që nga viti 2024 dhe ish oficer i lartë ushtarak.
Veterani Ali Larijani, që së fundi shërbente si Sekretar i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare u vra po ashtu, ndërsa po mbante edhe timonin e negociatave për paqe me SHBA-në.
Gholamreza Soleimani, Komandanti i Përgjithshëm i Forcave Paramilitare Basij u eliminua gjatë këtyre ditëve luftë.
Eliminimi i fundit me nam qe ai i Esmaeil Khatib, Ministrit të Inteligjencës së Republikës Islamike të Iranit.








