Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi të mërkurën se nuk është mbi ligjin, por është pikërisht ai që nuk e zbaton ligjin, duke mos i përfillur institucionet e drejtësisë të shtetit që ai e drejton.
Kurti të martën vizitoi Veriun, ku mori pjesë në përurimin e Administratës Tatimore të Kosovës në Mitrovicë të Veriut.
Atje, Kryeministri u pyet nga gazetarët serbë nëse ka demokraci në Kosovë, duke u përgjigjur se ekzekutivi i tij punon për të gjithë qytetarët dhe se ai nuk është mbi ligjin.
“Ne punojmë për të gjithë qytetarët. Unë nuk jam mbi ligjin. Koha para qeverisë sonë nuk ka qenë normale. Nuk them se tani është gjithçka normale, por them se gjithçka po normalizohet”, deklaroi Kurti ndër të tjera.
Ironikisht, këtë deklaratë e bën personi që ka refuzuar t’i bindet Prokurorisë Speciale të Kosovës, kur kjo e ftoi disa herë për të dëshmuar në rastin e rezervave shtetërorë, rast në të cilin bashkëpunëtorja e tij, Rozeta Hajdari, ish-Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, aktualisht deputete e Vetëvendosjes, akuzohet nga organi i akuzës se së bashku me tre zyrtarë të Ministrisë i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit mbi 2 milionë e 912 mijë euro.
Madje, Kurti e sfidonte me gjuhë kërcënuese Prokurorinë nëse mund të shkojnë për ta intervistuar në zyrën e tij në Kryeministri, pasi që kishte bërë të ditur se nuk do të shkonte në Prokurori.
“Prokurorët kanë ardh në Kryeministri edhe më herët. Unë guxoj të iu them s’po vij, ta shohim tash a guxojnë ata të vijnë”, deklaronte Kurti në dhjetor 2024, në podkastin e Rron Gjinovcit dhe Shkëlzen Gashit.
Kurti kishte kundërshtuar edhe zgjedhjen e Blerim Isufajt si Kryeprokuror i Shtetit, i cili ishte propozuar në këtë pozitë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Në një fjalim në Kuvendin e Kosovës më 20 prill 2023, Kurti kishte sulmuar Isufajn pas arrestimit të ish-Kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqit, duke thënë se i njëjti nuk ka asnjë rast të fituar në gjykatë dhe se po do të bëhet kryeprokuror i shtetit përkundër vullnetit të krerëve të shtetit, pra të tij, të ish-Presidentes Vjosa Osmani dhe ish-Kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufcës.
“Është siklet i madh dhe është mbështetje e madhe për një njeri i cili përkundër tre krerëve të shtetëror, përkundër përvojës së hidhur që ka i gjithë vendi me të dëshiron të bëhet kryeprokuror”, thotë Kurti.









