Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar autoritetet iraniane për arritjen e një marrëveshje mbi programin bërthamor të Iranit, duke thënë se në rast se një gjë e tillë nuk ndodh Shtetet e Bashkuara mund të ndërmarrin një sulm edhe më të ashpër sesa vitin e kaluar.
Trump tha të mërkurën se një “armatë e madhe” amerikane po i afrohet Iranit, me avionë dhe mjete të tjera luftarake. Ai kërkoi që Teherani të “vijë në tryezë dhe të negociojë një marrëveshje të drejtë dhe të barabartë, pa armë bërthamore”.
Trump përmendi sulmet ajrore amerikane dhe izraelite të vitit të kaluar kundër fasiliteteve bërthamore të Iranit, duke deklaruar se sulmi i radhës do të jetë “shumë më i keq” nëse Irani refuzon të negociojë marrëveshjen e re.
Në anën tjetër Irani ka kërcënuar se do të “përgjigjet fuqishëm” ndaj çdo sulmi amerikan dhe ka theksuar se negociatat nuk mund të zhvillohen nën kërcënime ushtarake.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka deklaruar se forcat e armatosura janë gati për kundërpërgjigjen, ndërsa Teherani shprehu përsëri gatishmërinë për marrëveshje të drejtë, që respekton të drejtën e tij për teknologji bërthamore pa armë.