Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar pas intervistimit të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, duke e cilësuar si të papranueshme mbrojtjen politike që po i bëhet atij.

Sipas saj, Berishaj “i shërben liderit suprem” dhe për këtë arsye, pavarësisht dëshmive publike dhe aferave milionëshe, ai vazhdon të jetë ambasador.

Për Çitakun, fakti që Martin Berishaj një ditë paraqitet në Prokurori për t’u marrë në pyetje, e ditën tjetër vazhdon detyrën si ambasador, është një dëshmi që “marrëzia nuk ka kufi”.

Këtë situatë ajo e ka lidhur edhe me krizën energjetike, duke shtuar se rreth 140 mijë punëtorëve u rrezikohen vendet e punës.

“Biznese të tëra, sidomos ato prodhuese, janë në prag të mbylljes, për shkak të shtrenjtimit enorm të energjisë elektrike. Po e dini kush nuk e ka këtë hall? Martin Berishaj”, shkroi Çitaku në Facebook.

Berishaj është intervistuar të enjten nga Prokuroria Speciale në Prishtinë. Ai ka qenë i dyshuar dhe në hetim nga organet e rendit, si i dyshuar për shpëlarje parash dhe deklarim të rremë të pasurisë.

Për të njëjtat vepra penale, ai ishte intervistuar edhe në mars të vitit 2024.

Për Berishajn, fillimisht kishin raportuar mediat, mirëpo më pas, vetë ai, para komisionit parlamentar, e kishte pranuar se përderisa ka qenë ambasador ishte paguar nga kompania që merret me energji elektrike, GEN-I – dega në Beograd.

Ai ishte paguar me shuma marramendëse nga GEN-I serb, për të dhënë gjoja këshilla në lidhje me tregjet e energjisë në Ballkan.

Berishaj kishte themeluar edhe një kompani në Mal të Zi për këtë punë “MB Consulting”, e cila nuk kishte asnjë punëtor, pos atë vetë dhe të cilën ai nuk e kishte deklaruar fare në deklarimin e tij të pasurisë.

Ai kishte edhe dy kompani të tjera në Kosovë që po ashtu nuk i kishte deklaruar.

Pos këtyre, Berishaj kishte tërhequr shuma që kapin shifrat e milionave nga bankat në Kosovë dhe në Mali të Zi dhe asnjëherë nuk është sqaruar se çfarë ndodhi me paratë kesh që i ka tërhequr.