Për pak kohë deri më 20 korrik të këtij viti, merret vendimi më i rëndësishëm për Kosovën e pasluftës nga një gjykatë që burimin e idesë së themelimit e kishte në Rusi, mbështetjen në dokumente në Serbi, por që u paketua si një raport i një senatori zviceran në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës.
Aktakuza, që në qendër të saj portretizon Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale, një koncept juridik që nuk gjykon vetëm individë, por edhe natyrën e luftës së Kosovës, ka përfunduar me kërkesën ekstreme të Prokurorisë për dënim prej 45 vjetësh për secilin nga të akuzuarit.
Ne e dimë të vërtetën. Lufta nuk ishte një projekt kriminal, por një rezistencë e domosdoshme nën represionin dhe dhunën shtetërore të Serbisë.
Këtë verë bëhen 11 vjet prejse deputetët e Kosovës vendosën t’i përgjigjen një thirrjeje ndërkombëtare për themelim të Gjykatës Speciale dhe kështu u vendos të bëhej amandamentimi më i rëndësishëm në historinë e Kushtetues së Kosovës. Neni 162, i cili kërkonte që “për t’i përmbushur obligimet ndërkombëtare” Republika e Kosovës mund të themelojë Dhoma të Specializuara në kuadër të sistemit të drejtësisë të Kosovës.
Si atëherë, akoma edhe sot, për shumëkë mbetet krejtësisht e pashpjegueshme përse kishte vërsulje ndërkombëtare dhe presion që s’ishte parë më herët për ndonjë temë tjetër mbi kërkesën për themelimin e gjykatës.
Përse e donte Serbia gjykatën speciale dihej, por as sot s’kuptohet përse ajo u shndërrua edhe në kërkesë të një pjese të rëndësishme të ndërkombëtarëve?
Publicisti Blerim Shala rrëfen për VOX Kosova të panjohurat e themelimit të Gjykatës Speciale.








