Publicisti Blerim Shala ka treguar se Serbia kishte propozuar që Kosova me Pako të Ahtisaarit të mos ketë kurrë as ushtri as politikë të jashtme dhe disa shtete të rëndësishme evropiane si Gjermania e Italia ishin pajtuar me këtë ide.

Por, ai theksoi se Amerika dhe Britania dolën kategorikisht kundër dhe e ndalën. SHBA-të, ai tha se kërkuan që Kosova patjetër të ketë edhe politikë të jashtme edhe ushtri.

“Edhe tash ndoshta vijmë në këtë periudhën tek Ahtisari, që po ashtu vlen të përmendet, për arsye se te procesi i Ahtisaarit ka pasë iniciativë nga ana e Serbisë që Kosova assesi s’bën të ketë ushtri të vetën. Dhe assesi s’bën të ketë Ministri të Jashtme. Dy elemente tepër të rëndësishme të një shteti”, tha Shala në një intervistë për VOX Kosova.

“Nëse s’ke diplomaci s’ke ushtri, çka je ti? Edhe që Kosova plotësisht të jetë në aspektin ushtarak, inekzistente”.

“Dhe që NATO, KFOR-i përgjithmonë ta mbajnë sigurinë në Kosovë”.

Tri shtete perëndimore, thekson ai, shumë të rëndësishme, Gjermania, Franca, Italia, “fillimisht kanë qenë për opsionin që TMK nuk mund të transformohet në ushtri…”.

Britania e madhe dhe Amerika, siç tregoi ai, kanë qenë fuqimisht, që të ketë Kosova ushtri. “Sepse është element i shtetësisë”.

“2007-në a po? e pyet gazetari Lirim Mehmetaj.

“Po, 2005, 2006, Ahtisaari, prapë duhet të shpreh publikisht falënderimin për të, ka qenë fuqimisht që Kosova duhet të ketë shtet. Që s’duhet të ketë asnjë kufizim, për shtetin e Kosovës, përjashto këtë periudhën e ashtuquajtur ‘mbikëqyrje ndërkombëtare'”, u përgjigj Shala.