Publicisti Blerim Shala ka rrëfyer në një intervistë për VOX Kosova prapaskenat e krijimit të Gjykatës Speciale.

Në një bashkëbisedim me gazetarin e VOX-it, Lirim Mehmetaj, Shala, që ka qenë pjesë e diskutimeve me ndërkombëtarët për krijimin e Speciales në atë kohë, ka treguar për presionin e tyre, veçanërisht atë të amerikanëve.

Ai ka thënë se nëse Kosova do ta refuzonte krijimin e Gjykatës Speciale, mund të kishte sanksione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe do të formohej nga Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Kemi pasë komunikim të vazhdueshëm me diplomacinë amerikane dhe insistimi i tyre ka qenë që duhet të bëhet Gjykata Speciale ose alternativa me gjasë do të jetë që të bëhet një Tribunal Ndërkombëtar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, tha Shala.

“Ky ka qenë opsioni i cili na është prezantuar. Tash a do të bëhej apo jo është temë në veti, por edhe po mos bëhej ky Tribunal Ndërkombëtar, mos të harrojmë ka qenë një kërkesë këmbëngulëse kategorike e administratës amerikane të Presidentit Obama dhe mund ta marr me mend se çfarë sanksionesh politike dhe diplomatike do të kishte Kosova në vitin 2015, mbi të gjitha nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës po mos t’i bënim Dhomat e Specializuara”, shtoi ai.

Të gjendur në këtë situatë, Shala theksoi “nuk kemi pasë alternativë”.

“Edhe na është prezantuar që, po them, opsioni tjetër është votimi i Tribunalit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, sepse gjërat kanë shkuar tepër larg. Tepër larg me mediat. Tepër larg me politikë ndërkombëtare. Tepër larg nga ana e Rusisë”.

Ai tregon se kanë vlerësuar se më mirë do të ishte t’i shkohet deri në fund akuzave të Dick Marty-t, që kështu të bien poshtë dhe të sqarohet kjo çështje njëherë e mirë.

“Të mos harrojmë, 2015 është krejt tjetër klimë politike, krejt atmosferë tjetër politike dhe ne midis konfrontimit me Amerikën dhe përfilljen e një kërkese të Amerikës, me pretendimin e përbashkët që do të bien poshtë akuzat e senatorit Marty, sepse nuk ka trafikim organesh, atëherë bindja jonë ka qenë që mirë është t’i shkohet deri në fund, që ka të bëjë me një periudhë afatshkurtër kohore, ose afatmesme – variantin më të keq – edhe do të sqarohet njëherë e përgjithmonë”, potencoi Shala.

Ai tregoi se pas publikimit të raportit të senatorit zviceran, Dick Marty, ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi iu kishte thënë amerikanëve që është i gatshëm të japë dorëheqje nga pozita e Kryeministrit që e mbante atë kohë, por ata i thanë “jo, s’e ke obligim”.

“Për mu e meta kryesore më e madhe e kësaj është që nuk ka ndodhë në Kosovë me faturën ndërkombëtare gjithë kjo ndërmarrje, sepse të mos harrojmë, Hashim Thaçi ka qenë kryeministër në atë kohë, i ka thirrë ambasadorët e QUINT-it në zyrën e vet dhe i ka thënë pas këtij raporti të Marty-t, a është rendi të rri unë kryeministër apo duhet të jap dorëheqje, sepse akuzat janë tepër të rënda”, deklaroi ai.

Shala theksoi se Christopher Dell, i cili ka qenë ambasadori i Amerikës në Kosovë, po edhe gjithë ambasadorët tjerë të QUINT-it, i kanë thënë; “jo, sa për ne ti nuk ke obligim të japësh dorëheqje, sepse këto janë pretendime, të cilat nuk dimë a do të vërtetohen ndonjëherë, prandaj edhe ka mbetë Hashim Thaçi si Kryeministër i Kosovës”.

“Por, pastaj është marrë një obligim, një detyrim i joni veçmas ndaj amerikanëve, mos të harrojmë se ky është megjithatë një rrëfim, i cili fund e krye ka adresën në Washington, kemi marrë parasysh që duhet të bëhet diçka dhe na është garantuar që do të ketë një proces të mirëfilltë, transparent dhe që nuk kemi alternativë”.

Duke folur për kërkesat që amerikanët i bënin palës kosovare, Shala tregoi se në një rast, zyrtarë të SHBA-së, i kishin pyetur liderët e Kosovës – Thaçin dhe ish-Kryeministrin Isa Mustafa – se a e kujtojnë ndonjë rast kur SHBA-të nuk e kanë mbajtur fjalën dhe kështu thekson se ishin bindur se nuk do t’u dilte hidhërim nëse e dëgjonin këtë kërkesë.

“Na po flasim për vitin 2015, akoma Pavarësia e Kosovës nuk ishte stabilizuar. Ne ishim bërë shtet, kishim marrë njohje, por akoma kishim telashe të mëdha në procesin e sigurimit të qëndrueshmërisë ndërkombëtare. Po po them mbi të gjitha autoriteti moral e politik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë aq i madh saqë në fund të fundit ne thonim mirë, nuk ka mundësi që të na del ndonjë hidhërim nga kjo temë, nga kjo punë”.

“Më kujtohet një takim shumë interesant në Bruksel, në shkurt të vitit 2015, ka qenë Kryeministri Mustafa, Mustafa ka qenë atëbotë Kryeministër, Hashim Thaçi ka qenë zëvendëskryeministër i parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme, unë kam qenë pjesë e këtij ekipi dhe pjesë e bisedimeve në Bruksel dhe u patëm takuar me Hoyt Yee, ka qenë zëvendës-asistent sekretar në State Department, edhe Hoyt Yee-in njëmend duke insistuar që të bëhet Gjykata Speciale, po flasim për shkurtin e vitit 2015, në moment tha ‘a iu kujtohet ndonjëherë që ne nuk e kemi mbajtur fjalën prej se merremi me ju’?”, rrëfen ai.

Si Thaçi, si Mustafa, tregon Shala, “thanë jo”. “Me sa e dimë ne, ju gjithmonë e keni mbajtë fjalën. Edhe mandej fjala në këtë kontekst kishte të bënte që nuk do të iu dilte hidhërim nga kjo punë”.

Në këtë drejtim, ai theksoi se ishin pajtuar që ta themelonin Specialen që kështu ta largonin njëherë e përgjithmonë çështjen e Shtëpisë së Verdhë.

“Shtëpia e Verdhë dikund ishte aty prej vitit 2001-2002, herë u zhduke, herë u kthejke, herë u zhduke, herë u kthejke, herë u zhduke, herë u kthejke. Kështu që ne vendosëm ma mirë njëherë e përgjithmonë ta trajtojmë këtë temë sepse nuk ka gjë. Krejt Kosova e dijke që s’ka gjë prej kësaj teme”, deklaroi Shala ndër të tjera.