“Hashim Thaçi iu tha deputetëve ‘çka keni ju, nëse Gjykata Speciale e burgos dikë, ai do të jem unë dhe Kadri Veseli’.
Kështu ka thënë publicisti Blerim Shala, në një intervistë për VOX Kosova, derisa ka rrëfyer se çka e kishte bindur ish-Presidentin Thaçi, që të pranonte themelimin e Gjykatës Speciale.
Shala ka thënë se Thaçi e dinte që do të burgosej nga Specialja, por thekson se deshi që ta heqë “renë e zezë” nga Kosova, duke iu referuara akuzave që senatori zviceran, Dick Marty, i kishte bërë në raportin e tij famëkeq, ku e akuzonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për trafikim organesh.
Fillimisht, Shala u pyet nga gazetari i VOX-it, Lirim Mehmetaj, në lidhje me akuzat që i ishin bërë Thaçit se po e pranon themelimin e Speciales për shkak se nuk do të kishte pasoja personale për të.
“Të paktën kjo ka qenë akuza prej plotëve që e kundërshtonin Gjykatën, derisa e u kuptuan që në fakt qenka e kundërta. Qenka pjesë Thaçi, edhe Veseli edhe të tjerët. E pastaj thanë: ‘Shko Hashim’. Po temë tjetër kjo. Po ka ekzistu kjo si akuzë që s’do të merret Thaçi”, tha Mehmetaj.
Por, Shala rrëfen të kundërtën. Deklaron se Thaçi u kishte thënë deputetëve të PDK-së – kundërshtarë të Speciales – se nëse dikush do të jetë subjekt i këtij mekanizmi, do të jetë pikërisht ai.
“Kundërshtarë të rreptë të Gjykatës Speciale kanë qenë Nait Hasani, Ganimete Musliu dhe disa deputetë të tjerë të PDK-së, po sidomos Nait Hasani, që është njëri prej themeluesve të UÇK-së. Edhe Hashim Thaçi pati thënë: ‘Nait, nëse dikush shkon në burg, do të shkoj unë dhe Kadriu. Jo ti’. Ka qenë deklarim publik”, potencoi Shala.
“Domethënë nëse do të shkon dikush prej krerëve të UÇK-së, do të shkoj unë, nuk do të shkosh ti. Hashim Thaçi ka pranuar dhe të gjithë ne të tjerët, partitë e mëdha, PDK, LDK e kanë pranuar këtë Gjykatë me bindjen që po e heqim njëherë e përgjithmonë qafe punën e Raportit të Dick Marty-t dhe të trafikimit të organeve”.
Duke nisur prej faktit se cilët emra përmendeshin në Raportin e Marty-t, Shala thekson se supozimi në atë kohë ishte se arrestimi nis nga Thaçi.
“Tash në çdo variant, duke ditur cilat emra janë përmendur te Raporti i Dick Marty-t, supozohej që arrestimi nis prej Hashim Thaçit edhe Grupit të Drenicës. Grupi i Drenicës ka qenë i pranishëm. Kështu që asnjëherë Hashim Thaçi nuk ka pretenduar dhe nuk ka supozuar që do të jetë disi i amnistuar prej kësaj pune”.
“Nuk mundesh ti me trajtu pretenduesin kryesor për krime me trafik të organeve që është në raport e disi ta harrosh rrugës, edhe të merresh me figura të nivelit të mesëm, apo të nivelit të ulët. Po që devijon krejt ky projekt, nuk e ka supozuar askush në vitin 2015”.
Gazetari Mehmetaj, derisa kujtoi miqësinë që Shala ka pasur me Thaçin edhe në atë kohë, e pyeti nëse e ka diskutuar në nivel personal se pse ka insistuar aq shumë që të themelohej Gjykata që e arreston në fund atë.
Mbi të gjitha arsyet, ish-deputeti Shala tregoi se Thaçi e ka bërë për shkak të raportit të tij personal me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Mos të harrojmë, Hashim Thaçi e ka ditur se, dhe besoj të gjithë ne, që pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës as nuk do të çliroheshim, as nuk do të bëheshim shtet i pavarur. Tekefundit edhe karriera personale e Hashim Thaçit lidhet me përkrahjen që ia ka dhanë Amerika”.
“Prej Rambujes e tutje, që të transformohet UÇK-ja, në një parti politike dhe që përmes partisë politike të provohet të ndërtohet vizioni i tij”.
Në këtë drejtim, ai mendon se Thaçi “e ka pasur njëfarë borxhi moral ndaj Amerikës”. “Po borxh moral edhe ndaj ndërgjegjes së vet, edhe ndaj ndërgjegjes, nëse mund të them, kolektive tonën”.
Trafikimi i organeve, ai thotë do të “rrëzonte për toke luftën e UÇK-së”. “E gjithë lufta me qenë në rregull, me një veprim të tillë, do të binte për toke”.
“Kështu që”, thekson ai, “ka qenë e domosdoshme të trajtohet njëherë e mirë kjo temë”. “Normalisht, kjo mund të ndërlidhet si prej meje, si prej teje me, edhe me shtete të veçanta të cilat nuk kanë qenë të kënaqura që Kosova është bërë shtet i pavarur. Po flas edhe për shtete perëndimore, jo të mëdhatë, jo të mëdhatë, po mosnjohësit [e pavarësisë së Kosovës] e shtetet e tjera”.
Shala thekson se projekti i çlirimit dhe shtetit të Kosovës është “llogaritur si projekt amerikan”, derisa shton se në atë kohë edhe projekti i Speciales “është llogaritur si projekt amerikan”.
“Dhe tash edhe projekti i Gjykatës Speciale është llogaritur si projekt Amerikan. Edhe evropianët na thonin sa për ne ju mos e bëni Gjykatën, po po ju thonë miqtë e juaj që duhet të bëhet Gjykata, prandaj bëjeni. Sa për ne, nuk ka gjë”.
“Unë jam takuar, mos të harroj, me një përfaqësues shumë të naltë të EULEX-it, i cili më vonë ka pasë karrierë diplomatike, i cili i ka pasë nëpër duar dosjet e komandantëve dhe zyrtarëve të lartë të UÇK-së, të UNMIK-ut dhe EULEX-it, ata janë bë bashkë, edhe kur e kam pyetur po a ka diçka në ato dosje, ka thënë nuk ka gjë, se sikur të kishte pasë diçka serioze, ne i kishim ngritë aktakuzat, pse me i dërgu në Hagë? Po çka kanë bë tha Dhomat e Specializuara, kanë ardh i kanë marrë ato dosje. Mbi ato dosje kanë prodhuar dokumentacionin e vet personal”.
Shala rikujton se Kosova ka pasur precedentë sa i përket aktakuzave dhe dënimeve të krerëve të lartë të UÇK-së.
“Sikur të ishte rasti i parë, dikush ka mundur të thotë, po kadale se ndoshta Kosova çohet në kryengritje. Ndoshta do të bëjë ndonje problem të madh. Remi është dënuar. Latif Gashi është dënuar, në kohë të UNMIK-ut, Sylejman Selimi, Sami Lushtaku. Pra, emra shumë të mëdhenj të UÇK-së janë dënuar, janë dërguar në burg”.
Në këtë kontekst, Shala pyet se “a ka ndodhë farë kryengritje në Kosovë?”. “Jo. Sepse akoma kemi besuar, edhe sot e kësaj dite besojmë në drejtësinë ndërkombëtare”.
“Prandaj, nuk mund të them që nuk ka pasë precedentë të tilla. Ka pasur. S’ka pasur kurrfarë pasojash për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë. Dhe në fund, të gjithë kanë shkuar vullnetarisht në burg. Mos të harrojmë se edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi kanë shkuar me vullnet në burg. Dikush mund të thotë nuk kanë pasë kurrfarë varianti”, pohoi Shala, derisa ndërhyri Mehmetaj duke i thënë se kanë pasur, “vetë e kanë ba këta, kanë mundur që ta refuzojnë”.
Edhe pse kanë mundur të refuzojnë, Shala thekson se nuk e kanë bërë, ngjashëm sic nuk e kanë bërë edhe komandantët e tjerë të UÇK-së, të cilët kanë qenë subjekt i Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi.
E gjithë kjo ka ndodhur, thotë ai, pasi që Kryeprokurorja e atij Tribunali, Carla del Ponte, ka dashur që ta baraspeshojë fajin e shteteve dhe popujve që kanë luftuar.
“Mendoj që sikurse edhe te rasti i Ramush Haradinajt, Fatmir Limajt e të tjerëve kur kanë shkuar në Tribunalin e Hagës. Pra, ne kemi pasë edhe filtrin e Tribunalit të Hagës mos të harrojmë. Edhe atje kanë mbërri rastet e UÇK-së gjatë luftës. Edhe krejt, atë e di prej dorës së parë, Carla del Ponte ka dashtë ta balancojë, ta baraspeshojë fajin e shteteve dhe popujve që kanë luftuar”.
“Ka thënë mirë, i kam nja 10-15 serbë, duhet nja 7-8 kroatë, po duhet edhe nja 3-4 shqiptarë se pse me dalë veç shqiptarët që janë të pafajshëm. Edhe i ka marrë dy raste. Edhe kur ka fol Soren Jessen-Petersen me Carla del Ponte-n për rastin e Ramushit, Soren Jessen-Petersen-i ka qenë Shef i UNMIK-ut, e ka ditë që po vjen rasti i Ramushit dhe i ka thënë privatisht: po shiko Ramush Haradinaj është hero i Kosovës”.
“I thotë uuu sa heroin unë e kam shti në burg, pse mos me shti tha Ramush Haradinajn në burg. Po doli që ishte gabim. Sepse dy herë Ramushi u shfajësua”.
Në përgjithësi, Shala pohon se UÇK-ja i ka kaluar disa filtra: UNMIK, EULEX, Hagë, Tribunali i Hagës. “Prandaj, po them e gjitha ka mundur të kryhet në Kosovë duke krijuar Dhomat e Specializuara në Kosovë me gjykatës ndërkombëtarë, me prokurorë ndërkombëtarë”.
Duke pasur parasysh presionin ndërkombëtar për themelimin e Speciales, por edhe akuzat që ishin në Raportin e Marty-t, ai thotë se bindja e PDK-së dhe LDK-së – partitë që bashkëqeverisnin në atë kohë – që ta themelonin këtë mekanizëm dhe “në këtë mënyrë do ta përmbyllim një obligim shumë të madh që e ka Kosova”.
Nëse kthehemi në 2015-në, Shala thekson se “nuk di që kemi mundur të bëjmë diçka tjetër”. “Ta them krejtësisht sinqerisht do të thotë”.
Ai potencon se opsionet tjera kanë qenë “me siguri më të rrezikshme se ky”. “Edhe ky ka qenë plotë rreziqe, si u pa, si u kuptua prej nesh më vonë, por opsionet tjera kanë qenë edhe më të rrezikshme. Dhe tek e fundit ka qenë një sakrificë që gjithë ne e kemi bërë për shtetin e Kosovës”.








