“Pa Amerikën, Kosova nuk do të ishte as e lirë, as shtet, as me ushtri”, ka thënë publicisti Blerim Shala, në emisionin VOX Data, me gazetarin Lirim Mehmetaj.
“Jo [pa SHBA-të] nuk kishim pasë as çlirim. Çdo respekt luftës së jashtëzakonshme që është bë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, çdo respekt një lëvizje të shkëlqyeshme që ka qenë në krye me doktor Ibrahim Rugovën, Presidentin e Kosovës. Po mos të kish qenë partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ishim çliruar në qershor ’99. Shtetet e Bashkuara të Amerikës veçmas kanë luajtur rol jetik që Kosova të çlirohet njëherë dhe pastaj të bëhet shtet i pavarur”, tha Shala.
Derisa tregon rolin jetik të SHBA-ve për Kosovën, Shala i përgjigjet edhe kritikëve që thonë se “Amerika ka interes”, tregon se ajo “asnjëherë nuk na ka kërkuar diçka që ka qenë kundër interesave substanciale të shqiptarëve të Kosovës”.
“Gjatë fushatës ajrore të NATO-s më kujtohet si në një moment, Javier Solana si Sekretar i Përgjithshëm i paktit NATO që ka dhënë urdhrin për sulme, ju kujtohet të gjithëve, pati thënë shiko, me qenë prej hënës me pa çka po ndodh në Kosovë, dikush thotë çka është kjo punë, pse po luftohet për këtë vend? A ka naftë? A ka gaz? Çka ka, çfarë pasurie nëntokësore, mbitokësore ka që u çu krejt bota e lume që me e shpëtu një popull? Cili është interesi, cili ka qenë interesi i Amerikës në Kosovë, pos ta shpëtojë një popull në vitin ’98-’99?”, tha Shala ndër të tjera.








