Sipas kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, Ligji i ri për Gjykatën Speciale, obligon që Salih Mustafa dhe Pjetër Shala, të vijnë të vuajnë dënimet në Kosovë. Ai citon nenin 16 të Ligjit, që thotë se të dënuarit nga Specialja, duhet t’i vuajnë dënimet në Kosovë.
“Neni 16 thotë se dënimi me burgim i shqiptuar nga Dhomat e Specializuara, vuajtja bëhet në institucionet e Republikës së Kosovës në pajtim me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës. Këtë nen, 16 -shi, 26-shi i jep fuqi”, tha Limaj në Klan.
Sipas Limajt, neni 16, fuqizohet nga neni 26, i cili thotë se nenet 15, 16, e 17 hyjnë në fuqi menjëherë.
“Nga data e nxjerrjes së Ligjit, nenet 15,16, dhe 17 zbatohen menjëherë nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Ligji. Neni 26, thotë që këto nene hyjnë në fuqi menjëherë. Ky na thotë që, kush është i obliguar këtë nen? Ministria e Drejtësisë. Ministria e Drejtësisë e ka obligim që djemtë atje, Saliun dhe Pjetrin me i sjellë me e vujtë dënimin në Kosovë”, tha Limaj.
Çka thotë neni 16 i Ligjit?
Dënimi me burgim i shqiptuar nga Dhomat e Specializuara vuhet në institucionet korrektuese të Republikës së Kosovës, në pajtim me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës. Institucioni konkret korrektues caktohet nga autoriteti kompetent i Republikës së Kosovës, duke marrë parasysh kohëzgjatjen e dënimit, kushtet e sigurisë dhe rrethanat individuale të personit të dënuar.
DOKUMENT:

Çka thotë neni 26?
Rastet që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë në zhvillim para Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, Trupit Gjykues ose Panelit të Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara, vazhdojnë të shqyrtohen sipas dispozitave të Ligjit nr. 05/L-053 që kanë qenë në fuqi para hyrjes në fuqi të këtij ligji. Ky ligj nuk zbatohet ndaj rasteve nga paragrafi 1 i këtij neni deri në nxjerrjen e aktgjykimit nga Paneli i Gjykatës së Apelit.
Nga data e nxjerrjes së aktgjykimit nga Paneli i Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara, ky ligj zbatohet për çdo procedurë të mëtejshme. Çdo ankesë, kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë ose mjet tjetër juridik kundër këtij aktgjykimi paraqitet dhe shqyrtohet nga Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës në Prishtinë, e cila ka juridiksion ekskluziv për të vendosur për procedurat e mëtejshme. Paneli i Gjykatës Supreme i Dhomave të Specializuara nuk ka juridiksion mbi këto raste.
Pavarësisht paragrafëve 1 dhe 2 të këtij neni, nenet 15, 16 dhe 17 të këtij ligji zbatohen menjëherë nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji për të gjithë personat ndaj të cilëve zhvillohet procedurë penale, si dhe për të gjithë personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara, pavarësisht fazës së procedurës ose faktit nëse aktgjykimi është bërë i formës së prerë.
DOKUMENT:










