“Është befasi se si me Aneksin e Ohrit, Serbia arriti të sigurojë ‘autonominë politike dhe territoriale’”, ka thënë ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Këto komente, Thaçi i bëri në një intervistë për emisionin “Opinion”, që transmetohet në Televizionin Klan, derisa foli për dakordimin e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për Marrëveshjen Bazike, e arritur fillimisht në Bruksel më 27 shkurt 2023, dhe aneksin e saj më 18 mars 2023, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
“Kjo defunksionalizon shtetin e Kosovës”, e vlerëson Thaçi nenin 7 të marrëveshjes, ku flitet për vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë.
“Integrimi”, thotë ai, “e jo autonomia, është çelësi i ecjes përpara edhe për serbët e Kosovës”.
Si një njeri që për një kohë të gjatë ka udhëhequr bisedimet me Serbinë, Thaçi potencon se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, “ashtu siç duken gjërat në dy kryeqendrat, bllokada mund të vazhdojë”.
“Mund të ndodhin takime liderësh apo gjetiu, por në këtë atmosferë… dhe logjikë pune, vetëm sa do të rrisin tensionet, të zhvleftësojnë të arriturat e deritanishme me mundësi të pakta për marrëveshje të reja”, deklaron Thaçi, i cili ndodhet që më shumë se 5 vjet në qendrën e paraburgimit në Hagë, si i akuzuar nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ai kujton se të dy shtetet kanë marrë obligime “që duhet t’i zbatojnë”. “Mbi çdo agjendë, përparësi duhet t’i jepet paqes dhe bashkëpunimit”.
Jashtë kësaj, ai foli edhe për raportet aktuale të Kosovës me aleatët. Sipas tij, Perëndimi “po e trajton sot Kosovën si shtet fëmijëror, jo për nga mosha, por nga papjekuria vepruese”.
“Ndërsa nga kundërshtarët e pavarësisë po proklamohet si krijesë e dështuar”, shtoi.
Si një njeri i rryer në qeverisje dhe diplomaci, Thaçi sugjeron se “besimi perëndimor mund të rikthehet vetëm me veprime të përgjegjshme”.









