Në Prishtinë, para objektit të Ministrisë së Bujqësisë këtë të hënë (6 korrik) kanë protestuar blegtorët. Ata në shenjë pakënaqësie me inspektimin e kryer nga shteti në qumështoren “Vita”, kanë derdhur qumështin para objektit të Ministrisë.

Fabrika e Qumështit “Vita” në Istog u mbyll të enjten e 2 korrikut me vendim të Bordit të Kompanisë, pasi në ambientet e tyre zbarkuan inspektorë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

Sipas AUV, arsye e inspektimit janë linjat e prodhimit të produkteve me origjinë shtazore dhe me bazë qumështi, duke përdorur qumësht plihur e vaj palme.

“Është evidentuar se operatori ushtron veprimtari të përpunimit të qumështit në bazë të autorizimit përkatës, ndërsa në objekt janë instaluar edhe linja për prodhimin e produkteve me origjinë shtazore dhe me bazë qumështi, duke përdorur qumësht pluhur, vaj palme dhe lëndë të tjera ndihmëse. Po ashtu, subjekti disponon sasi të konsiderueshme të lëndëve të para dhe produkteve, përfshirë qumësht UHT, qumësht pluhur, proteina qumështi, hirrë qumështi dhe vaj palme”, thotë Agjencia.

Në anën tjetër, përfaqësues të kompanisë mohojnë se produktet e “Vita” përmbajnë materie të rrezikshme, duke kërkuar nga AUV t’i publikojë rezultatet e testimit.