Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Muharrem Shahini, ka deklaruar se peshku i llojit Anisakis simplex, për të cilin VOX Kosova ka raportuar se është me krimba, mund të konsumohet nëse trajtohet siç duhet.
“Në rastin konkret, sa i përket konsumimit të peshkut ‘Merluc’, ekzistojnë udhëzime të qarta për trajtimin dhe konsumimin e sigurt të këtij lloji. Ky peshk duhet të jetë i ngrirë në temperaturë prej -18°C ose më të ulët, dhe më pas të zihet ose piqet në temperaturë prej +60°C ose më të lartë”, tha Shahini në një intervistë për VOX-in.
Ai shtoi se, “nëse peshku është i ngrirë në temperaturat e përmendura, atëherë konsiderohet i sigurt për konsum, pasi paraziti nuk mbijeton në këto kushte”.
Këtë të premte, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, institucion në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë ka filluar procesin e asgjësimit të 35 mijë e 170 kilogramëve peshk të cilët janë me krimba të llojit Anisakis simplex.
Më 25 shtator, VOX Kosova raportoi se Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, dhe AUV-i, ndonëse e kishin konstatuar praninë e krimbave në peshq dhe përkundër se kishin marrë vendim për asgjësim dhe e kishin fituar rastin në Gjykatën Komerciale, kishin lejuar shitjen e peshqve të krimbosur.