Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se shefja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali ka refuzuar pranimin e padisë së tij.  

“Pse? A nuk i njeh institucionet e Republikës së Kosovës? A nuk i njeh ligjet dhe të drejtat që i garanton shteti ynë?”, e ka pyetur Rama, Mihalin.

Siç shprehet Rama në një postim në profilin e tij zyrtar në Facebook, “ditën që Dejona Aleksander Mihajli del në mbrojtje të LDK-së, LDK-ja duhet me e kqyrë veten seriozisht në pasqyrë”.

Dejona Mihali e Lëvizjes Vetëvendosje, kishte eskaluar në gjuhën e përdorur ndaj kryetarit të Prishtinës, duke pretenduar se ai përdor narkotikë.

“Paske përdorur një tragjedi për të zhgarravitur prapë me ChatGPT. Përparim Rama, ti narkotikun si e merr? Me kontratë njëburimore apo me ofertën me çmimin më të lirë, nga tre ofertat?Hera-herës kur përfundon emergjencave duket se me çmimin më të lirë.Ps. Minjtë vijojnë nëpër lagjet e kryeqytetit, bashkë me plehrat. Kryetari jo, po Përpamiu”, ka shkruar Mihali.

Për këto dhe shkrime tjera, i pari i kryeqytetit kishte paralajmëruar padi ndaj Mihalit.

“Per gjuhën e saj që e shpërfaq nivelin e saj jam duke përgatitur padi. Padi për shpifje. Është mësu ajo me u fsheh pas brigadave të Facebook-ut dhe mijëra profileve false, duke përçarë shqiptarët, duke i ofendu nënat tona, gratë, fëmijët, luftën, kontributin, atdheun dhe gjithçka që është e shenjtë”, shkroi ai. “Tash ka me u përballë me Prokurorinë, atë institucion që ende nuk keni arritë me e kapë!”, shkruante Rama.