“Luftën” virtuale me pushtetin qendror e ka vazhduar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, pas reagimit të paradites, ku akuzoi Qeverinë për keqmenaxhim në lidhje me aksidentin me fatalitet që ndodhi në Autostradën “Ibrahim Rugova”.
Rama duket se ka zgjedhur të mos reagojë, të paktën deri tani, ndaj zyrtares së VV-së Dejona Mihali, e cila hodhi aludime ndaj Përparim Ramës, për përdorim narkotikësh.
Megjithatë, kryetari i Prishtinës i është kundërpërgjigjur ministrit në detyrë Dimal Bashës, pasi ky i fundit e akuzoi për manipulim lidhur me pretendimet për kontratën prej 4.67 milionë eurosh për punime në autostradë.
Në një reagim të shkurtër në Facebook, Rama ka përdorur gjuhë të ashpër ndaj Bashës.
“Dimal Basha jeni të paaftë dhe manipulues! Jeni fatkeqësia e këtij vendi. Pikë”, ka shkruar Rama.
Përplasja mes tyre nisi pasi Basha kundërshtoi deklaratat e Ramës se miliona euro po shpenzohen për “heqjen e dheut” në autostradë, duke thënë se bëhet fjalë për projekte të sanimit të plotë të skarpatave në tri segmente të Autostradës “Ibrahim Rugova”.









