Aktualisht Kosova nuk ka Kuvend të konstituuar, nuk ka as Qeveri me mandat të Kuvendit e që disa muaj është me Ushtruese të Detyrës së Presidentit. Në të gjithë këtë bllokadë politike, Albin Kurti, Kryeministër në detyrë, ka shkuar në Maqedoni të Veriut për të marrë pjesë në hedhjen e guthemelit të një rruge.

Kurti po merr pjesë në hedhjen e gurthemelit për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë. Aty, Kryeministri në detyrë i Kosovës po shoqërohet nga homologu i tij maqedonas, Hristjan Mickoski.  

Deputeti i Vetëvendosjes në Kuvendin e Maqedonisë të Veriut në kuadër të VLEN-it, Bekim Qoku, e quajti këtë si “projekt i kësaj dekade”.

“Me shumë se kurrë krenar që sot, në praninë të kryeministrave Hristijan Micoski dhe Albin Kurti po hedhim gurthemelin për ndërtimin e autostradës Shkup–Bllacë, një nga projektet më të rëndësishme për shqiptarët, që do t’i lidhë qytetarët në të dyja anët e kufirit. Madje, do ta quaja projektin e kësaj dekade”, shkroi ai në Facebook.

Ndërkohë që ai po merr pjesë në hedhjen e gurthemelit, në Kosovë, opozita, përkatësisht Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca, kanë protestuar para Qeverisë duke i kërkuar VV-së dhe Kurtit që ta konstituojnë Kuvendin.

Ata kanë thënë se me kalimin e afateve kushtetuese për konstituimin e Kuvendit është “cenuar rendi kushtetues”.

Ndryshe, Kurti është kritikuar vazhdimisht nga njohës të çështjeve politike në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut se po i përçan shqiptarët në RMV, duke qenë se është pozicionuar hapur me një krah politik.

Pasi që ata që i përkrahu erdhën në pushtet, ndonëse si humbës të zgjedhjeve në kampin shqiptar, Kurti nuk e tha asnjë fjalë për problemet e shqiptarëve atje.

Madje, nuk bëri fare reagim as për protestat e studentëve shqiptarë atje, të cilët kërkuan që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në Gjuhën Shqipe.