Prokuroria e Shtetit në Qarkun e Splitit në Kroaci, ka ngritur aktakuzë ndaj një piloti kroat që kishte shërbyer në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe partneres së tij serbe, e cila, siç kishin raportuar mediat kroate, ia kishte përcjellë anëtarëve të Listës Serbe – partisë që dirigjohet nga Serbia.
Sipas aktakuzës, siç raporton media kroate “Index.hr”, shtetasi kroat, J.I. teksa po shërbente në Forcat e Armatosura të Kroacisë, nga shkurti deri në dhjetor të vitit 2022 vazhdimisht i kishte përcjellë informacione të klasifikuara – në të cilat kishte pasur qasje gjatë punës së tij si pilot – partneres së tij, A.M., shtetase e Serbisë.
Piloti kroat, sipas aktakuzës, e dinte se partnerja e tij i mblidhte këto informacione për një shtet të huaj, në një etnitet të huaj ligjor dhe për një person që punonte me ta. Nga ana tjetër shtetasja serbe akuzohet se më pas këto informacione i ka përcjellë në disa adresa të huaja.
Nën argumentin se mund të arratisen, Prokuroria i ka propozuar Gjykatës që të t’ia vazhdojnë paraburgimin të dy të akuzuarve.
Piloti kroat dhe shtetasja serbe, partnere e tij, gjenden në paraburgim që nga gushti i vitit të kaluar. Ata ishin arrestuar në Kroaci.
Për herë të parë, për këtë rast, kishte raportuar “Index.hr”, në 2025-në.
Shteti i Kosovës kishte shprehur gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar për këtë rast me autoritetet kroate.
Shtetases serbe, Policia e Kosovës ia kishte bastisur shtëpinë në Mitrovicë të Veriut, ku ishin gjetur, ndër të tjera, edhe disa fishekë e gëzhoja.
Më herët, ajo kishte punuar edhe në Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX).
Dyshohet se ajo kishte lidhje të afërta me shumë gjyqtarë dhe prokurorë të EULEX-it, të cilët, sipas burimeve të mediave kroate, ajo edhe i ka shantazhuar.
“Index.hr” raportonte në atë kohë se serbja A.M, se informacionet e siguruara nga partneri i saj, piloti kroat, ia kishte përcjellë Listës Serbe, partisë që dirigjohet nga Beogradi zyrtar.
Ndër informacione që ia ka dhënë, sipas raportimit, kanë qenë edhe për lëvizjet e pozicionit të forcave të KFOR-it në Veri.
Piloti kroat dhe partnerja serbe e tij ishin liruar kur u arrestuan për herë të parë, por më vonë, pas kërkimit në telefonat e tyre hetimet u zgjeruan dhe hetuesit panë se kishte pasur shkëmbim të informacioneve të ndjeshme në drejtim të politikanëve serbë, të cilat piloti ia kishte bartur të dashurës së tij, gjatë qëndrimit në Kosovë, ku kishte shërbyer si pjesëtar i kontingjentit kroat, pjesë e KFOR-it.
Dyshja më pas ishte arrestuar përsëri, ku tani kanë edhe aktakuzë të ngritur.









