Komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, i ka quajtur sërish “të papranueshme” ndryshimet e aprovuara nga Kuvendi i Kosovës në Ligjin për Gjykatën Speciale. Ajo, në një postim në X, pas takimit që ka pasur me kryenegociatorin e Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, ka thënë se të njëjtat janë “hap prapa për Kosovën” në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

“Ndryshimet e fundit në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës janë të papranueshme. Miratimi dhe zbatimi i tyre do të ishte në kundërshtim me zotimet e Kosovës ndaj BE-së. Ato do të përbënin një hap serioz prapa në rrugën e Kosovës drejt BE-së”, tha Kos.

“Respektimi i sundimit të ligjit dhe i institucioneve të pavarura gjyqësore është thelbësor për përgatitjen e hapave të ardhshëm në rrugën e Kosovës drejt BE-së”, shton.

Bashkimi Evropian ka qenë shumë i zëshëm në kundërshtimet e tij për ndryshimet e Ligjit për Gjykatën Speciale, duke thënë se të njëtat bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.