Qeveria e Kosovës po e trajton me shumë indiferencë kërkesën e protestuesve dhe të Partisë Demokratike të Kosovës që Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të trajtohet me prioritet.

Qeveria mblidhet të mërkurën (sot), por në agjendë nuk është njoftuar se do të jetë edhe ky projektligj.

Ai ka një javë që qëndron në sirtar.

Në agjendë janë përfshirë projektligje të tjera.

Vetëvendosje është përpjekur ta politizojë debatin, duke e ndërlidhur atë me çështjen e Presidentit dhe, për habi, në dallim nga shumë ligje të tjera që i ka trajtuar me shpejtësi, për këtë projektligj po kërkon kohë për analizë më të gjatë.

Më 6 tetor, Kuvendi ka afatin e fundit për ta zgjedhur presidentin dhe, në rast të një dështimi, vendi shkon në zgjedhje.

Kjo do të nënkuptonte se projektligji do të mbetej në sirtar edhe për disa muaj të tjerë, ndërsa procesi në Hagë do të hynte në afatet për shkallën e Apelit.

Derisa Qeveria po qëndron e qetë, protestuesit në sheshin “Skënderbeu”, në natën e 14-të të protestave, kanë dhënë sinjale për një ashpërsim të revoltës.

“Nëse vazhdoni të heshtni, nëse mendoni se kjo revoltë mbyllet me një deklaratë fasadë, mbajeni mend mirë: Më 1 tetor, do ta kuptoni se çfarë force mban ky shesh! Më 1 tetor, zëri ynë nuk do të jetë më pritje, do të jetë lum njerëzish, një vërshim i vërtetë, një uragan i pandalshëm i këtij populli! Zgjidhja është në tavolinën tuaj. Veproni sa nuk është vonë!”, ka thënë Çlirim Haziri, organizator i protestave.

“Por po jua themi drejt e në sy: Kryeministër, në atë tavolinë nuk e ke thjesht një projektligj! Nuk është udhëzim i rëndomtë administrativ. Nuk është rregullore e zakonshme. Atë që keni mbi tavolinë është dinjiteti i këtij shteti! Është gjaku, sakrifica dhe gjashtë shtyllat e UÇK-së që po mbahen padrejtësisht peng! E nderi i kësaj toke as nuk zvarritet, as nuk mbahet nëpër sirtarë!”, është shprehur Haziri.

Edhe ish-kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka paralajmëruar se durimi i qytetarëve po mbaron në raport me kërkesat ndaj Qeverisë lidhur me krerët e UÇK-së.

“2 javë protestë. 2 javë kërkesa. 2 javë qëndresë. Populli ka folur. Foli edhe sonte – zëshëm! Mbrojtja e UÇK-së nga shteti, me veprime konkrete, është emergjente. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara duhet të nxirret nga sirtari i Qeverisë dhe të shkojë në Kuvend për votim menjëherë. Pa vonesa. Pa arsyetime. Koha po kalon dhe, me të, po mbaron edhe durimi i popullit. Ky shesh i lirisë nuk do t’ia falë askujt zvarritjen, heshtjen apo pengimin e kërkesave të popullit për mbrojtjen e UÇK-së”, ka shkruar ai në Facebook.