Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, i ka reaguar të parit të PDK-së, Memli Krasniqit, i cili sot tha se në lidhje me incizimin e publikuar në VOX Kosova, “duhet hetim urgjent nga prokuroria”. Lladrovci këtë deklaratë të Krasniqit e quajti “qesharake”. Pretendon madje se këtë kërkesë e ka pasur para disa viteve.
“Memlit i doli rend të flas për një shantazh të uzurpatorëve, me kërkesë në fund të fushatës: “Urgjent të hetohet kjo situatë”, qesharake. Këtë e kam kërkuar para disa viteve”, shkroi Lladrovci në një postim në Facebook.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, sot në një konferencë për media, i pyetur nga VOX Kosova, tha se “ishte problematike të dëgjoheshin fjalët për prona publike të cilat janë të qytetarëve të komunës së Drenasit”.
Në audio-incizimin e publikuar nga VOX Kosova më 29 shtator, Lladrovci dëgjohej teksa fliste me biznesmenin Labinot Halilaj dhe një person të tretë për shuma milionëshe dhe ndërtime pa leje në Drenas, për çka Prokuroria veçse ka nisur tashmë hetimet.









