Një video, në të cilën shihet shpërthimi i municionit brenda armës së një ushtari të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka shpërfaqur edhe raste të tjera të ngjashme, në të cilat ishte rrezikuar jeta e ushtarëve e madje edhe e zyrtarëve policorë.
FSK-ja dhe Ministria e Mbrojtjes nuk kanë dhënë shpjegime se si ndodhi shpërthimi i municionit turk në armën amerikane. Ndërkaq, Besa Kabashi-Ramaj, eksperte e sigurisë nga radhët e PDK-së, në një intervistë për VOX Kosova ka thënë se armët amerikane mund të kenë tri kategori të përdorimit të municionit, varësisht nga specifikat dhe standardet që lejojnë.
“Tek ky rast specifik në FSK, mendoj që kjo është simptoma e sëmundjes, nëse mund ta quaj. Simptoma është pasojë e mostrajtimit të mbarë sektorit të sigurisë dhe mbrojtjes, mosmenaxhimit të duhur të mbarë sektorit të sigurisë dhe mbrojtjes. Ndoshta, pajisja që është përdorur, granatëhedhësi, mund të përdorë predha 40 mm, mirëpo çështja është origjina e armës, origjina e municionit, specifikat e municionit dhe kompatibiliteti. Armët amerikane mund t’i kenë tri lloje kategorizimesh: për shembull, mund të kërkojnë vetëm municion të prodhuar në Amerikë, mund të rekomandojnë, por të lejojnë municion me standarde të NATO-s, apo mund të lejojnë edhe municione të tjera që janë kompatibile”, ka deklaruar Kabashi-Ramaj.
Ajo ka kritikuar institucionet për mënyrën se si e kanë trajtuar rastin, duke thënë se gabimi më i madh ishte mbajtja e tij e fshehtë dhe mungesa e një shpjegimi publik për shkaqet e shpërthimit.
“Prandaj, hetimi i këtij rasti është shumë i rëndësishëm dhe është procedurë normale standarde e vendeve të zhvilluara. Gabimi është te fshehja. Pastaj, ku ka arritur morali i pjesëtarëve të FSK-së kur një moment i tillë xhirohet dhe lëshohet në publik, duke e marrë parasysh sensitivitetin e situatës”, ka thënë ajo në intervistën për VOX Kosova.








