Njëri prej pilotëve të një avioni që po fluturonte nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Izraelit goditi me thikë bashkëpilotin dhe duket se tentoi ta rrëzonte avionin, tha kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ndërsa zyrtarët izraelitë thanë se po hetonin nëse incidenti ishte një tentativë për sulm terrorist ndaj izraelitëve.
Avioni u detyrua të kryente një ulje emergjente në Arabinë Saudite pas sulmit të dyshuar, ndërsa të dy pilotët u plagosën, por pasagjerët e tjerë ishin të sigurt, sipas një deklarate të aeroportit ndërkombëtar Prince Sultan bin Abdulaziz, i njohur më së shumti si aeroporti i Tabukut, raporton The Guardian.
Piloti i akuzuar për kryerjen e sulmit aktualisht po merret në pyetje nga autoritetet saudite, tha Netanyahu.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, e përshkroi incidentin si një “tentativë për sulm xhihadist”.
“Terrroristi kishte një objektiv të vetëm: ta rrëzonte avionin, duke vrarë të gjithë ata që ndodheshin në bord”, tha Katz, duke shtuar se sulmi u ndal për shkak të “heroizmit të disa pasagjerëve”.
Zyrtarët izraelitë, të cilët folën në kushte anonimiteti për gazetarët, thanë se sulmuesi ishte shtetas i Omanit dhe se vlerësimi aktual i Izraelit për incidentin ishte se bëhej fjalë për një sulm terrorist. As Omani dhe as Emiratet e Bashkuara Arabe nuk kanë dhënë qëndrim për incidentin, shkruan The Guardian.
Dy orë e gjysmë pas nisjes nga Dubai, avioni dërgoi një sinjal emergjence – kodin 7700, i cili tregon një emergjencë të përgjithshme – përpara se të dërgonte një tjetër, kodin 7500, që tregon një tentativë të mundshme për rrëmbim avioni.
Avioni gjithashtu humbi papritur lartësi, duke rënë rreth 17 mijë këmbë brenda një periudhe prej dy minutash, përpara se të devijonte nga hapësira ajrore e Jordanisë drejt aeroportit të Tabukut, në veriperëndim të Arabisë Saudite, ku u ul i sigurt. Zyrtarët izraelitë i thanë Reuters se ekuipazhi i kabinës mori kontrollin e kabinës së pilotimit dhe ndihmoi në uljen e avionit pas sulmit.
Videot e incidentit treguan pasagjerë duke bërtitur ndërsa avioni humbte lartësi, si dhe një burrë të mbuluar me gjak, i cili dukej se ishte piloti i plagosur dhe ndodhej në dysheme.
“Bashkëpiloti u përpoq ta vriste pilotin dhe, në thelb, të kryente një sulm vetëvrasës me avionin”, tha pasagjerja Miryam Shira Ohayon për gazetarët përmes telefonit të nënës së saj në aeroportin e Tel Avivit.
“Avioni ishte vërtet në rrugën drejt rrëzimit dhe ishte thjesht zgjuarsia dhe reagimi i shpejtë i shumë njerëzve që morën kontrollin e bashkëpilotit dhe e neutralizuan”, tha ajo, duke shtuar se një mjek që ndodhej në bord trajtoi pilotin e plagosur.
Zyrtarët izraelitë fillimisht ngritën avionë luftarakë pasi u dërguan sinjalet e emergjencës, nga frika e një sulmi ndaj Izraelit ose se avioni mund të devijohej drejt një shteti të tretë. Më pas, një zëdhënës i zyrës së kryeministrit izraelit tha se incidenti nuk ishte rrëmbim avioni, ndërsa në media qarkullonin raportime për një përleshje mes dy pilotëve.
Ndërsa dolën më shumë informacione mbi natyrën e dhunshme të sulmit, mediat izraelite dhe ndërkombëtare nisën të raportonin, duke cituar zyrtarë në kushte anonimiteti, se ishte hapur një hetim për të përcaktuar nëse bëhej fjalë për një sulm ndaj izraelitëve.
Autoritetet izraelite deri tani janë përmbajtur nga cilësimi publik i sulmit të dyshuar si incident i mundshëm terrorist, me përjashtim të ministrit të Sigurisë Kombëtare, të krahut të djathtë, Itamar Ben-Gvir. Ben-Gvir shkroi në X se “terrorizmi është një djall me të cilin nuk duhet të arrihet asnjë marrëveshje”, duke iu referuar incidentit.
Kreu i ushtrisë izraelite, gjenerallejtënant Eyal Zamir, shtyu vizitën e planifikuar në SHBA javën e ardhshme për shkak të incidentit. Gjatë vizitës ai parashihej të takohej me shefat e përbashkët të shtabeve të ushtrisë amerikane dhe me kreun e Komandës Qendrore të SHBA-së.
Rrethanat e përleshjes mes pilotëve mbetën të paqarta, ndërsa pasagjerët përshkruan momente konfuze dhe gjakderdhje.
Yasmin Abu Kaiss, vajza e së cilës ndodhej në fluturim, i tha Reuters se vajza e saj kishte dëgjuar britma dhe kishte parë një burrë me thikë që e kishte rrëzuar një pilot në dysheme, ndërsa kishte gjak gjithandej.
Fotot e publikuara nga mediat izraelite tregonin një pasagjer me këmishë të mbuluar me gjak. The Guardian nuk ishte në gjendje ta verifikonte në mënyrë të pavarur fotografinë.
Incidenti ndodhi vetëm disa ditë pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, paralajmëroi se kishte indikacione se një sulm mund të kryhej gjatë zgjedhjeve të tetorit në Izrael. Ushtria izraelite, e cituar nga mediat izraelite, tha se nuk kishte informacione të inteligjencës se po planifikohej ndonjë sulm ndaj Izraelit.
Yair Lapid, figurë e opozitës dhe ish-kryeministër, vuri në dyshim lidhjen mes sulmit të dyshuar dhe paralajmërimit të Netanyahu-t, duke thënë se një informim për sigurinë të martën mbrëma nuk kishte dhënë asnjë informacion për ndonjë incident të mundshëm të ngjashëm me atë që ndodhi të mërkurën.
Fluturimet mes Dubait dhe Izraelit nisën pasi të dyja vendet normalizuan marrëdhëniet në vitin 2020. Izraeli nuk ka marrëdhënie diplomatike me Arabinë Saudite, por në vitin 2025 një avion u ul në Riad për shkak të një emergjence mjekësore.
FlyDubai konfirmoi se fluturimi FZ1073, me destinacion Ben Gurionin, pati një incident dhe u ul i sigurt në Tabuk të mërkurën.
“Ekipet tona po punojnë ngushtë me autoritetet përkatëse”, tha kompania ajrore. “Përditësime të mëtejshme do të publikohen sapo të bëhen të disponueshme detaje të tjera të konfirmuara”.
Mediat izraelite raportuan se një fluturim tjetër i FlyDubai, i cili po udhëtonte më vonë drejt Tel Avivit, u kthye në mes të fluturimit drejt Dubait pas incidentit.









