Rusia është pothuajse në përfundim të ndërtimit të një baze të re të madhe për lëshimin e dronëve me motor reaktiv, vetëm brenda gjashtë javësh, sipas ekspertëve të mbrojtjes dhe një analize të Reuters të imazheve satelitore. Ky është zgjerimi më i fundit i kapaciteteve të saj sulmuese pranë Ukrainës, shkruan Reuters.

Sipas imazheve komerciale të siguruara nga Planet Labs dhe Airbus, vendi që më 31 gusht ishte një fushë e zbrazët në rajonin jugperëndimor rus të Rostovit, deri të mërkurën ishte shndërruar në një kompleks të madh, me sipërfaqe sa rreth 126 fusha futbolli.

Ndërtimi përkon me rritjen e përdorimit të dronëve sulmues rusë me motor reaktiv kundër Ukrainës, e cila po has vështirësi në interceptimin e këtyre armëve më të shpejta, që mund të arrijnë shpejtësi deri në 600 kilometra në orë, vazhdon shkrimi i Reuters.

Mike Monnik, themelues dhe drejtor ekzekutiv i kompanisë private të inteligjencës DroneSec, tha se objekti i paraqitur në imazhe do të mund të përdorej për lëshimin e modeleve Geran-4 dhe Geran-5, llojet më të reja të dronëve rusë me motor reaktiv.

Ai tha se në skajin perëndimor të kompleksit shiheshin tetë platforma me shina lëshimi, të afta për të hedhur këta dronë. Kjo do t’i shtohej rrjetit ekzistues rus, i cili përfshin të paktën 11 baza të përhershme lëshimi që përdoren për sulme me dronë kundër Ukrainës.

“Shpejtësia e ndërtimit … dëshmon lehtësinë me të cilën Rusia mund t’i vërë me shpejtësi në përdorim kapacitetet e saj tashmë të konsoliduara sulmuese”, tha Monnik.

Sipas tij, objekti dukej shumë pranë përfundimit dhe “ndoshta do të duhen vetëm disa javë, nëse jo edhe më pak, që të bëhet plotësisht funksional”.

Reuters thotë se ndërtimi i objektit “përkon me përkeqësimin e marrëdhënieve mes Rusisë dhe aleancës ushtarake të NATO-s”.

Qeveritë evropiane e akuzojnë Moskën se po intensifikon një fushatë sabotimi, inkursionesh me dronë dhe sulmesh kibernetike kundër tyre. Ndërkohë, Rusia paralajmëroi muajin e kaluar se mund të përdorë armë bërthamore nëse NATO-ja do të përpiqej t’ia shkëpuste enklavën e Kaliningradit, vazhdon raportimi i Reuters.

Monnik tha se ndërthurja e prodhimit industrial të dronëve me motor reaktiv, sofistikimit të tyre në rritje dhe mungesës relative të sistemeve gjithëpërfshirëse kundër dronëve në shumë vende të NATO-s përbën një sfidë për Perëndimin.

“Ky kapacitet për të vënë me shpejtësi në funksion një aftësi për të kryer sulme në shkallë të gjerë duke përdorur sisteme ajrore pa pilot (UAS) përbën një cenueshmëri strategjike për vendet e NATO-s”, tha ai.

Monnik theksoi se objekti mund të ketë kapacitetin për të lëshuar 100 ose më shumë dronë me motor reaktiv brenda 24 orëve, megjithëse Rusia zakonisht i lëshon ata në numër të vogël gjatë gjithë ditës. Kjo do të varej gjithashtu nga faktorë të tillë si furnizimet në dispozicion dhe objektivat e sulmit.

Dallimi kryesor mes dronëve me motor reaktiv dhe paraardhësve të tyre me motor pistoni, Reuters thotë se është shpejtësia më e lartë. Pjesa e dronëve më të shpejtë është rritur ndjeshëm, ndërsa përdorimi i dronëve më të ngadaltë ka rënë.

Rob Jordan, drejtor i programit në institutin kërkimor RUSI, me seli në Londër, tha se platformat prej betoni dhe dy shinat e mundshme të ngritjes, të dukshme në imazhe, përputheshin me konfigurimin e pistave të lëshimit për dronët rusë Geran.

“Kjo shkallë ndërtimi brenda një kohe kaq të shkurtër është mbresëlënëse”, tha ai. “Kjo tregon besimin relativ që Rusia po e vendos te kapaciteti i saj për sulme në thellësi të territorit kundërshtar, ndoshta në dëm të forcave të saj konvencionale tokësore”.

Analistët ushtarakë thonë se Rusia i ka orientuar kapacitetet e saj të prodhimit të dronëve drejt modeleve me motor reaktiv, ndërsa Ukraina po has vështirësi për t’i kundërshtuar ato.

Sipas të dhënave të ushtrisë ukrainase, të raportuara nga Reuters muajin e kaluar, Rusia e rriti rreth gjashtëfish përdorimin e dronëve me motor reaktiv gjatë tre muajve të kësaj vere. Të dhënat treguan se Kievi dhe rajoni përreth tij ishin shënjestruar më së shumti.

Këta dronë paraqesin problem sepse janë tepër të shpejtë për t’u interceptuar nga dronët përgjues të projektuar nga Ukraina, të cilët synojnë të rrëzojnë me kosto të ulët paraardhësit e tyre më të ngadaltë, me motor pistoni. Kievi tani po përpiqet me urgjencë të gjejë një zgjidhje.

Imazhet ajrore të objektit të ri, të marra më 31 gusht, tregonin disa automjete në një fushë, por asnjë shenjë të punimeve ndërtimore. Imazhet e marra mëngjesin pasues tregonin se ndërtimi kishte nisur.

Objekti, i cili zë një sipërfaqe prej rreth 0.9 kilometrash katrorë, ndodhet rreth 3.5 kilometra larg bazës ajrore ruse të Millerovos, ku është vendosur Regjimenti i 31-të i Gardës së Aviacionit Gjuajtës.

Sipas DroneSec, baza e re e lëshimit ka të ngjarë të gjendet brenda “ombrellës” së mbrojtjes ajrore që ofrojnë sistemet e vendosura në bazën ajrore, duke i bërë më të vështira përpjekjet e Ukrainës për ta goditur objektin e ri.

Një analizë e Reuters tregoi se dy nga tetë platformat e lëshimit tashmë kishin shina të vendosura. Shinat po ndërtoheshin edhe në dy platforma të tjera, ndërsa gjatë tri ditëve të kësaj jave, nga hapësira mund të vëreheshin edhe punime të tjera ndërtimore.